Ruçi njoftoi dorëheqjen nga politika në Kongresin e PS-së/ Balluku: Nuk e kam parë kurrë aq të emocionuar! Ishte frymëzim për të gjithë ne

14/06/2021 11:16

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ishte ketë mëngjes e ftuar në “Breaking”, në Top News.

Balluku foli për largimin nga politika të një nga figurave më të rëndësishme në Partinë Socialiste, kryetarit të parlamentit, Gramoz Ruçi. Gjatë Konferencës së PS-së, në 30-vjetorin e themelimit, që u mbajt në stadiumin “Air Albania” të shtunën, Ruçi i dha fund karrierës së tij politike.

Balluku kujtoi këtë moment, gjatë intervistës së saj, ku tha se “kurrë nuk e kam parë aq të emocionuar Gramozin”. “Ka qenë gjithmonë racional, në PS, ishte ajo kolona që në situatat më të vështira ishte i ftohtë dhe diskutonte si do t’i gjenim zgjidhjen. Në konferencë e pamë shumë të emociouar”, rrëfen ministrja.

Balluku do të hyjë për herë të parë në parlamentin e Shqipërisë, në shtator, kur e majta fillon mandatin e tretë qeverisës. Të qenit në kuvend pa Ruçin, ajo e sheh si fat jo të mirë.

Është një 4-vjeçar sfidues, edhe për fatin që më duhet të ushtroj fatin e deputetit. Nuk e di pse pata fatin të jem në parlament pa Ruçin, që për mua ka qenë frymëzim. Ka qenë një mësues për të gjithë ne, kush pa pasur fatin të dëgjojë, ka marrë shumë prej tij”, thotë Balluku.

Ndërkohë, ndalet dhe në jetën personale, kur flet për orët e vona të natës, pas pune, kur sheh ecurinë përgatitore të djalit, i cili do t’i nënshtrohet këtë vit, provimeve të lirimit.

Kam qenë çdo ditë në punë. Menjëherë pas rezultatit të zgjedhjeve, kam qenë në zyrë dhe në terren. Kam përshtypjen se do të jetë një verë, që nuk do të ketë shumë kohë për pushime. Shpresoj të kem pak kohë për fëmijët e mi. Djali është në klasë të nëntë dhe kur shkoj në shtëpi, mundohem të shoh si po ecën, pavarësisht se mendja është dhe te punët e Ministrisë”, tregon Balluku.

Top Channel