Maturantët protestuan sot, në ditën e tretë para Ministrisë së arsimit për testin e matematikës.

Ministrja Evis Kushi shpërndau një mesazh video ku tregonte se Ministria e Arsimit tërhiqej përballë protestës së maturantëve dhe lajmëroi që ulej numri i pikëve për notën maksimale.

Pas përfundimit të provimit, ata u shprehën se kishte një nivel vështirësie mbi mesataren dhe në tezë kishte pyetje, që nuk i kanë mësuar në shkollë. Nxënësit dolën në protestë dhe kërkuan rishikim të tezës.

Ministria e Arsimit njofton se do të bëjë një rishikim të tezës dhe sot Kushi njoftoi se u vendos që të ulet kufiri minimal i pikëve për çdo notë.

Nisur nga shqetësimet e maturantëve, mësuesve, prindërve, dhe pa dyshim duke konsideruar situatën e një viti jo normal e të vështirë të pandemisë, ku pavarësisht se maturantët në të gjithë vendin kanë qenë çdo ditë në mësim në shkollë, përveç 10 bashkive me risk të lartë ku për 6 javë mësimi u zhvillua ‘online’, kemi vendosur të plotësojmë kërkesën e maturantëve për të ulur kufirin minimal të pikëve për çdo notë”, shprehet Kushi, përmes një video mesazhi në “Facebook”.

Ministrja gjithashtu nënvizon se pas përfundimit të procesit të Maturës Shtetërore 2021, MASR do të bëjë një analizë të thellë, me qëllim identifikimin e të gjitha problematikave të mundshme dhe rishikimin e plotë të të gjithë procesit të maturës, akteve rregullatore për këtë proces dhe administrimin e tij.

Top Channel