Maturantët fituan betejën për testin dhe hapin një tjetër! Ja kërkesat që kanë për Ministrinë e Arsimit

14/06/2021 17:18

Maturantët vijuan me protestat e tyre, në ditën e tretë, para Ministrisë së Arsimit Arsyeja është zemërimi i madh që shkaktoi testim në matematikë, nga i cili dolën të zhgënjyer edhe nxënësit e ekselencës.

Ministrja Evis Kushi shpërndau një mesazh video ku tregonte se Ministria e Arsimit tërhiqej përballë protestës së maturantëve dhe lajmëroi që do të ulet kufiri minimal i pikëve për çdo notë.

E sigurisht që nuk ka munguar edhe një përgjigje nga maturantët! Ata thonë se edhe pas këtij vendimi të marrë nga Ministria ata sërish nuk do të ndalen. Maturantët kërkojnë që t’ju shpjegohet se si është ulur pragu i pikëve, e përveç kësaj kërkojnë që të anulohet VKM-ja, e cila u jep peshë provimeve rreth 50%, ndërsa maturantët kërkojnë që ta ulin në 40%.

‘Ministria e Arsimit sot bëri me dije se ka ulur pragun e pikëve të provimit të matematikës. Falë protestës së këtyre ditëve ne ja arritëm të bënim një ndryshim të tillë, por përpjekja jonë nuk do të ndalet me kaq.

Ne jemi këtu për t’i drejtuar Ministrisë së Arsimit kërkesat për të cilat duket se ka bërë njërin sy qorr e njërin vesh shurdh.

Ne kërkojmë në mënyrë të menjëhershme që të na tregohet se si është ulur pragu i pikëve. Ne nuk kemi nevojën vetëm për fjalë, por për paraqitje reale të pikëzimit.

Përveç kësaj, ne kërkojmë që të anulohet VKM-ja, e cila i jep peshë provimeve rreth 50%. Përpjekja jonë për uljen e peshës së provimeve në 40% do të vazhdojë.

Ne duam t’i themi ministres së arsimit se nuk do të ndalemi deri në plotësimin e kërkesave.

Ne nuk jemi gënjyes dhe s’do të gënjehemi nga premtime të tilla boshe.

Gjithë këto ditë kemi kuptuar se forca e ndryshimit qëndron te ne si të rinj dhe banues të shkollave.

Ne jemi të gatshëm të luftojmë jo vetëm për vete, por edhe për arritjen e një arsimi cilësor dhe për ndryshime të mëdha shoqërore.”, thuhet në përgjigjen e maturantëve ndaj Ministrisë së Arsimit.

Top Channel