“Jo, nuk duam”/ Zviceranët kundër qeverisë për emetimin e gazrave serë

14/06/2021 15:22

Politika e Zvicrës për luftën ndaj ndryshimeve klimatike është vënë në pikëpyetje pasi votuesit atje refuzuan përmes një referendumi nismën e qeverisë për zvogëlimin e emetimit të gazrave serë.

Propozimi për shkurtimin e emetimit të gazrave për 50 për qind deri në vitin 2030, nuk u miratua për shkak se 51.6 për qind e qytetarëve votuan kundër tij.Qeveria zvicerane e ka mbështetur masën, e cila parashikonte edhe shtimin e fondeve për automjetet elektrike, si dhe rritjen e taksave për karburantet dhe gazin natyror.

Gazrat serë thuhet se ndikojnë në ndryshimet klimatike. Por shumë zvicerane shqetësohen nga efekti që mund të ketë iniciativa e qeverisë në ekonominë e goditur prej pandemisë së koronavirusit. Votuesit refuzuan edhe propozimin për të ndaluar pesticidet kimike brenda 10 vjetësh.

Një tjetër propozim i hedhur poshtë ishte ai për t’i dhënë subvencione fermerëve nëse ata nuk do të përdornin pesticide dhe do të përdornin vetëm antibiotikë për të trajtuar kafshët e sëmura.

Sipas sistemit në Zvicër, referendumet mund të organizohen në nivele kombëtare, rajonale dhe lokale.Çdo ide nga publiku mund të hidhet në votim kombëtar për aq kohë sa mbledh 100,000 firma.

Top Channel