Gripi i shpendëve/ Eksperti i ushqimit në “Wake Up”: Mishin e pulës ta zieni në 70 gradë, mos e prekni me duar

14/06/2021 08:54

Virusi i gripit të shpendëve H5N8 në vendin tonë ka rritur panikun e qytetarëve, pas konfirmimit të 3 vatrave në Dajt, Fushë-Krujë dhe një fshat në Tropojë .

Për të folur rreth këtij virusi, ishte sot i ftuar në studion e “Wake Up” në Top Channel , eksperti i ushqimit, Adbyl Sinani.

Prof. Dr., Sinani u shpreh se kërkohet një kujdes i madh dhe se duhet të dimë origjinën nga vjen virusi, në mënyrë që të mos blejmë mish pule në atë vend.

“Kur të shohim një pulë që ka lot në sy, jashtëqitje si ujë dhe e trullosur, duhet që ta izolojmë atë. Jo vetëm atë, por edhe pulat e tjera. Nëse ne dimë zonat që i ka dhënë autoritetet përkatëse, atëherë nuk konsumojmë mishin e marrë atje. Autoriteti i ushqimit duhet të bëjë analizat. Virusi nuk e prek lehtë organizimin e njeriut, prek proteinën e pulës”, tha eksperti i ushqimit.

Sipas Sinanit, mishin e pulës duhet të ziejmë minimumi në 70 gradë si dhe nuk duhet ta prekim me duar, pasi nuk e di nëse ka apo nuk ka virus.

“Nëse e prekni me duar, aty është rreziku. Por nëse përdorni doreza është në rregull”, tha eksperti i ushqimit, i cili shtoi se porosia kryesore është që të largohesh nga konsumimi i pulës në ato vatrat që janë bërë të ditura se ka virus.

Sinani vijoi duke thënë se mishi futet edhe në sallam, e si pasojë kërkohet një analizë e të gjitha produkteve të mishit të pulës.

I pyetur nëse njerëzit duhet që të rrinë të qetë, eksperti i ushqimit tha “jo”. “Duke menduar se çfarë hoqëm nga Covid, tani duhet të jemi më të kujdesshëm. Kërkohet një kontroll edhe më i madh. Kohët e fundit është bërë një punë shumë e madhe në drejtim të kësaj. Vetë konsumatori e di që mishi ruhet në një temperaturë të caktuar, e nëse temperatura është më e lartë në supermarketin ku e blen, atëherë kuptohet se mishit i kanë ikur disa proteina”, shtoi Sinani.

Top Channel