Prej orës 8 të mëngjesit të sotëm, demokratët e Durrësit kanë nisur t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryetarin që do t’i drejtojë në katër vitet e ardhshme.
2970 anëtarë të PD dega Durrës janë ftuar t’i drejtohen 2 qendrave të votimit të ngritura në ambientet e selisë blu, përmes të cilave anëtarët do të ushtrojnë të drejtën e votës për të zgjedhur kryetarin midis katër kandidatëve Fatbardh Kadilli, Edit Harxhi, Agron Shehaj dhe Lulzim Basha.
Votuesit duhet të zgjedhin 1 prej kandidatëve pasi vota e tyre do të jetë e pavlefshme nëse votojnë më shumë se një prej katër emrave në garë. Votën mund ta hedhin vetëm personat që kanë kartë anëtarësie.
Të përjashtuar nga procesi i votimit do të jenë demokratët që bënë fushatë haptas për kundërshtarët në zgjedhjet e 25 prillit, ndonëse ata rezultojnë anëtarë të PD. Sipas udhëzimeve, do të lejohen që të votojnë edhe ata që nuk e kanë emrin në lista, por kanë kartë anëtarësie.
Votimi për kreun e ri të PD-së pritet të mbyllet pasditen e sotme, në orën 19:00, ndërsa numërimi i votave të nisë në orën 20:00.
Top Channel