Manastirliu inspekton qendrën shëndetësore të Ishmit: Hartohen protokollet për turizmin, hapim 29 qendrat verore

13/06/2021 10:57

Ministrja e Shëndetësisë këtë të dielë ndodhej në qendrën shëndetësore Ishëm, për të parë nga afër procesin e rindërtimit të kësaj qendre, pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit.

Qendra Shëndetësore e rindërtuar do të garantojë kushte dhe standarde bashkëkohore për banorët e Ishmit por edhe për vizitorët e kësaj zone piktoreske.

“Shumë shpejt, brenda periudhës së verës do të jemi në qendrën e re”, njofton ministrja, duke shtuar se edhe pse në proces rindërtimi shërbimi nuk është ndalur në asnjë moment.

Manastirliu: Pas afro një vit e pak që jemi takuar për të shpallur fillimin e punimeve të qendrës shëndetësore në Ishëm, tashmë shohim se ky investim ka ecur përpara. Shpresojmë, që me përfundimin e sezonit turistik të përfundojë edhe investimi në këtë qendër dhe ju të ofroni shërbimin këtu. Pas tërmetit të 26 nëntorit edhe pse kjo qendër u klasifikua si një qendër që duhej shembur dhe rindërtua ne shërbimin nuk e ndalëm në asnjë moment. Shumë shpejt, brenda periudhës së verës do të jemi në qendrën e re.

Duke theksuar se qendra e Ishmit do të shërbejë për 8 mijë banorët e kësaj zone por edhe për turistët, Ministrja e Shëndetësisë bëri me dije se 29 qendra shëndetësore verore do të hapen me 15 qershor.

“Përgatitemi për hapjen e qendrave shëndetësore verore. Dhe prej datës 15 të këtij muaji do të hapim 29 qendra shëndetësore verore përgjatë gjithë vijës bregdetare por edhe në zonat turistike malore”, deklaroi Manastirliu.

Nga Ishmi, Ministrja e Shëndetësisë bëri me dije se në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit janë finalizuar protokollet për sezonin turistik dhe apeloi për zbatimin rigoroz të tyre, me qëllim parandalimin e COVID-19.

“Kemi finalizuar me Ministrinë e Mjedisit dhe Turizmit protokollet e reja shëndetësore anticovid sa i përket sezonit turistik. Dhe në këto protokolle janë përcaktuar të gjitha ato masa anticovid, të cilat do të vijojnë të mbeten për të gjithë subjektet akomoduese, aktivitetet e biznesit, të bareve, restoranteve. Nuk do të ketë asnjë tolerancë nga Inspektoriati Shëndetësor dhe Inspektoriatet e tjera të Task-Forcës, me synim për të kufizuar përhapjen e Covid19”, tha Manastirliu.

Duke theksuar se jemi në një situatë të mirë epidemiologjike, Ministrja e Shëndetësisë u ka bërë apel sërish qytetarëve të mos e ulin vigjilencën dhe vijojnë të respektojnë rregullat antiCOVID.

Top Channel