Dita e dytë e protestës së maturantëve/ Këtë të dielë ishin më të pakët në numër kundër testit të matematikës

13/06/2021 19:42

Nën këto thirrje është shoqëruar protesta e dytë e maturantëve që kërkojnë nga Ministria e Arsimit të ulë tavanin e pikëve të vlerësimit të provimit të matematikës për shkak të vështirësive që hasën në pyetjet e testimit.

As reagimi i Ministrisë së Arsimit për rishikimin e shpërndarjes së pikëve në testin e matematikës dhe mënyrën e vlerësimit nuk ka mjaftuar për maturantët, që e kanë quajtur atë qesharak dhe të pamjaftueshëm.

Ashtu siç kishin paralajmëruar një grup maturantësh zhvilluan për të dytën ditë radhazi protestë edhe këtë dielë para Ministrisë së Arsimit, duke bllokuar rrugën për t’u zhvendosur më pas pranë Qendrës së Shërbimeve Arsimore me pretendimin se testi i matematikës ishte i vështirë dhe kërkesën e qartë për ulje të pragut të pikëve.

Më tej, të rinjtë kanë marshuar para kryeministrisë ku kanë lajmëruar edhe vijimin e protestave ditën e hënë në orën 17:00. Në rast se ministria e Arsimit nuk do të zbatojë kërkesat e tyre, ata paralajmërojnë edhe bojkot të provimit të radhës.

Një ditë më parë, në mbështetje të tyre kanë dalë edhe mësuesit e gjimnazit “Qemal Stafa” që përmes një letre i janë drejtuar Ministrisë së Arsimit me disa rekomandime duke evidentuar edhe ushtrimet që kanë penalizuar maturantët.
Diçka që është hedhur poshtë nga hartuesit e testeve të matematikës që kanë deklaruar se niveli i provimi ishte mesatar.

Top Channel