Demokratët votuan për kryetarin/ Rivalët e Bashës e kontestuan procesin që në nisje. Nishani: Maskaradë elektorale

13/06/2021 19:01

Ka përfunduar procesi i votimit për zgjedhjen e kryetarit të PD.

Pa nisur mirë procesi, zgjedhjet për drejtuesin e ri të Partisë Demokratike u shoqëruan me kontestime të 3 sfidantëve të Lulzim Bashës.

Kandidati Agron Shehaj ishte i pari që denoncoi pengimin dhe përjashtimin e vëzhguesve të tij jo vetëm në disa degë të Tiranës, por edhe në rrethe.

AGRON SHEHAJ: Këto zgjedhje rrisin vlerat e PD, por nëse standarti është ulët kthehet në Boomerang.

Kryetari i Komisionit të Zgjedhjeve në PD Jemin Gjana hodhi poshtë pretendimet teksa sqaroi arsyet e incidenteve me vëzhguesit.
Jemin Gjana: Arsyeja ka qenë krejt e qartë, ose nuk kanë patur kartë anëtarësie, dhe nuk kanë qenë në listat e anëtarësisë së partisë, ose janë deleguar nga një degë në një degë tjetër.

Për parregullsi dhe garë të pabarabartë folën edhe kandidatët Edith Harxhi dhe Fatbardh Kadilli.
Lulzim Basha, i cili kërkon një mandat të tretë për të drejtuar Partinëe Demokratike sërish në opozitë nuk pajtohet me akuzat e rivalëve.

Basha: Këto janë vlerat tona, të demokracisë, të shprehjes së lirë, të konkurrencës dhe debatit. Me këto vlera e kemi nisur betejën për ndryshim për Shqipërinë e shqiptarët, me këto vlera do ta çojmë deri në rrëzimin e regjimit Rama Doshi.

Bujar Nishani: Për fat të keq kjo nuk u dëshmua sot, kemi një maskaradë elektorale, më vjen keq ta them këtë, por edhe unë jam përgjegjës si shumë demokratë të tjerë, kemi lejuar që të vazhdojë projekti për të rrënuar PD-në.

Në debatin mes kandidateve u përfshi edhe ish kryeministri Sali Berisha, flet për rikthim në PD, i cili tha “Jam konsistent në deklaratat e mia.

Top Channel