Për një vit e gjysmë maskat na u bënë pjesë e pandarë e jetës sonë por në Korçë ato kanë një tjetër kuptim.

Karnavalet e Korçës, festa pagane që kremtohet prej vitesh e që çel sezonin turistik ka bërë që personazhe të shumta të ekranit të zbresin në mënyrë simbolike në qytet e po ashtu personazhe të përrallave e jo vetëm të cilat përcjellin mesazhe të shumta.

Maska e veshje shumëngjyrëshe pushtuan rrugët e Korçës prej mëngjesit në ditën e karnavaleve ndërsa tematikat e përzgjedhura ishin nga më të larmishmet. Gazmore, tradicionale të frikshme, apo edhe me pak ironi ndaj fenomeneve të ndryshme grupet nga Korca, Kolonja, Durrësi, Kavaja e Shkupi tërhoqën vëmendjen e qytetarëve të Korçës apo edhe pushuesve duke përcjellë mesazhe të veçanta. Sulltani dhe haremi i tij u pozicionuan në qendër të qytetit duke kthyer vëmendjen tek varësia e shqiptarëve nga telenovelat ndërsa të tjerë shpotitën veset.

Ndryshe nga herët e tjera organizatorët treguan kujdes që të shmangnin grumbullimin masiv të njerëzve duke i ndarë grupet në zona të ndryshme e performancat e tyre të shtrira gjatë gjithë ditës.

Top Channel