Operacioni “Bregdeti Ynë”, Çuçi: Shemben 35 objekte. Ky është fillimi i fundit të marrëzisë për të ndërtuar pa leje!

12/06/2021 15:42

Në gjashtë ditët e para të operacionit “Bregdeti Ynë” janë shembur 35 objekte në Ksamil, Sarandë e Velipojë.

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, thotë se ky operacion është vetëm ‘fillimi i fundit të marrëzisë për të ndërtuar pa leje’. Ndërkohë në 10 raste kanë qenë vetë ndërtuesit që i kanë shembur objektet pa leje. Më poshtë reagimi i plotë i ministrit Çuçi.

“Plot 35 objekte me strukturë betoni dhe metalike të ngritura pa leje janë shembur në Ksamil, Sarandë e Velipojë në vetëm 6 ditët e para të operacionit “Bregdeti Ynë”. Ndërkohë Policia e Shtetit ka arrestuar 5 persona, ka shpallur 1 në kërkim dhe disa të tjerë i ka proceduar penalisht që prej nisjes së këtij operacioni, i cili është veçse fillimi i fundit të marrëzisë për të ndërtuar pa leje dhe për të zaptuar territor sipas dëshirës.

Lajm i mirë që për 10 objekte kanë qenë vetë ndërtuesit e paligjshëm që i kanë shembur dhe po vetë i kanë hequr inertet. E gjithë vija bregdetare nga Velipoja në Ksamil do të pastrohet njëherë e mirë nga çibanët e ngritur prej babëzisë për të fituar në kurriz të zbatimit të ligjit e mbrojtjes së mjedisit. IKMT dhe Policia e Shtetit do ta shtrijnë këtë operacion edhe në zona të tjera për ta çliruar përfundimisht bregdetin nga shkelësit e ligjit, të cilët kurrsesi nuk do t’i ikin përgjegjësisë për këto ndërtime”

Top Channel