Në 22 vjetorin e çlirimit, krerët e institucioneve të Kosovës kanë përcjellë mirënjohjen e thellë për ushtarët e rënë të NATO-s. Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti e kryeparlamentari, Glauk Konjufca bënë homazhe e vendosën kurorë me lule pranë Pllakës Përkujtimore. Osmani tha se po nderojnë në këtë mënyrë kontributin e jashtëzakonshëm të secilit prej ushtarëve të NATO-s që i qëndruan përkrah Kosovës në momentet më të errëta të saj.

Kryeministri Kurti theksoi se në 12 qershor, kremtohet paqja, çlirimi dhe liria e vendit, e njëkohësisht nuk harrohen kurrsesi ata që u sakrifikuan për të hedhur themelet e shtetit të Kosovës.

Konjufca nga ana e tij theksoi edhe një herë se kauza e Kosovës ishte e drejtë, e dëshmuar dhe nga fakti që vetë aleanca më e madhe ushtarake e globit i doli në krah.

50 mijë ushtarë të NATO-s u vendosën 22 vjet më parë në Kosovë, e bashkë me ta edhe administrata e përkohshme e OKB-së. Pas 78 ditë bombardimesh të NATO-s kundër trupave serbe, trupat e aleancës hynë triumfuese në Kosovë, në misionin paqeruajtës që do të quhej KFOR e duke i dhënë fund luftës gati dy vjeçare.

Top Channel