Maturantët protestuan sot për provimin e tretë, atë të matematikës që dhanë ditën e djeshme.

Shkodër

Dhjetëra maturantë të Shkodrës, mes tyre edhe nxënës të ekselencës, protestuan këtë të shtunë ndaj provimit të matematikës.

Sipas tyre, ushtrimet janë të kopjuara nga një provim në universitetin e Cambrige, ndërsa akuzuan edhe për presione gjatë procesit të testimit, nga ana e të deleguarve të Ministrisë së Arsimit.

Durrës

Maturantë të shkollave të mesme publike dhe jopublike në Durrës u ankuan se testi pati dhe ushtrime jashtë kurikulës së lëndës, si dhe fraza të pakuptueshme, duke aluduar për përkthimin e problemit me Sindin, përpos kushteve të vështira në të cilat kanë mësuar dy vitet e fundit për shkak të tërmetit e pandemisë.

Elbasan

Edhe në Elbasan, maturantët kërkuan një rivlerësim të testit dhe të shpërndarjes së drejtë të pikëve.

Fier

Në Fier maturantët protestuan të shqetësuar, se sipas tyre teza nuk i përmbahej nivelit të premtuar dhe se koha nuk ishte e mjaftueshme.

Korçë

Maturantët e Korçës thanë se prej një viti pjesën më të madhe të mësimit e kanë bërë online dhe më pak të alternuar, ndaj dhe për këtë arsye ata kanë pritur një test tjetër jo vetëm në lëndën e matematikës por edhe në provimet e tjera të maturës shtetërore.

Gjirokastër

Në Gjirokastër protestuesit kërkuan në emër të të gjithë maturantëve përsëritjen e provimit dhe thanë se do të vazhdojnë protestën. Disa prej tyre ngritën pretendime se shumë prej ushtrimeve nuk ishin punuar kurrë prej mësuesve në shkollë.

Top Channel