Federata greke e Futbollit me një deklaratë të orëve të fundit drejtuar tek UEFA ka protestuar për veshjen dhe inicialet në bluzat e ekipit kombëtar të Maqedonisë së Veriut.
Ekipi i fqinjit verior të Greqisë që merr pjesë për herë të parë në kampionatin Europian të futbollit dhe luan ditën e dielë kundër Austrisë, mban në bluzat e tij emblemën e federatës kombëtare me inicialet FFM (Football Federation of Macedonia), Federata e Futbollit të Maqedonisë, çka sipas palës greke është në kundërshtim me marrëveshjen e Prespës që Athina dhe Shkupi kanë nënshkruar ku midis të tjerash nënvizohet edhe fakti i emërtimit zyrtar të vendit.
Gjithashtu në deklaratën e palës greke thuhet se edhe në portalin e Federatës së shtetit fqinj, ky vend emërtohet thjesht si Maqedonia, ndërsa vetë federata nuk e ka ndryshuar emrin siç detyrohet përsëri nga Marrëveshja e Prespës.
Për këtë arsye federata greke e futbollit EPO thekson në deklaratën e saj drejtuar UEFA-s se “eshte sa trishtuese aq edhe indinjuese që te lindin nga askund probleme që janë zgjidhur nga konventat ndërkombëtare, me rastin e fillimit të EURO 2020 dhe pjesëmarrjen e Maqedonisë se Veriut në këtë ngjarje”.
“Komiteti Olimpik Ndërkombëtar dhe të gjitha federatat ndërkombëtare të sportit, papërjashtim, e kanë njohur Maqedoninë e Veriut si anëtare të tyre me këtë emër dhe çdo emërtim tjetër i vetëpërcaktuar arbitrarisht, është jashtë kornizës rregullative të zbatueshme për të gjithë dhe për këtë arsye është joreal” përfundon deklarata.
Sipas mediave greke reagimi i Federatës ka ardhur menjëherë pas një deklaratë në mediat sociale të kreut të Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut Muamed Sejdini i cili përdor në fjalët e tij thjesht emrin “Maqedonia”.
Madje përmendet edhe fakti që kryeministri Zaev i ka kërkuar z. Sejdini ndryshimin e emrit ,por ky i fundit nuk ka pranuar.
Një letër urgjente i ka shkruar Presidentit të UEFA-s, Alexander Cheferin, edhe Z/v Ministri grek i Sporteve, Lefteris Avgenakis,si dhe ministrit të Jashtëm Nikos Dhendias ka njoftuar homologun e tij Bujar Osmani .
Top Channel