U akuzua si bashkëpunëtore në vrasjen e Hekuran Billës, lirohet nga burgu Adiola Lakra

11/06/2021 13:19

Gjykata e Tiranës ka liruar nga burgu Adiola Lakrën, 26-vjeçaren që u akuzua si bashkëpunëtore në vrasjen e Hekuran Billës.

Asaj iu ndryshua masa e sigurisë nga “arrest me burg” në “detyrim paraqitje”. Pas hekurave qëndron Viktor Marku, si autori kryesor i dyshuar edhe Sebastjan Mali, nipi i Prel dhe Viktor Markut.

Top Channel ka raportuar më parë se si Lakra se si është njohur dhe lidhur me Sebastian Malin para dy viteve.

“U lidha me Sebastian Malin para dy viteve, sapo kishim ardhur në Tiranë, ku jetoj me familjen. Në një parukeri i njoha me Lule Malin, e ëma e Sebastian Malit. E më pas u lidha me Sebastian Malin. Një ditë Sebastiani më mori telefonin, më tha dua të shoh diçka dhe klikoi një llogari me emrin Lani Billa në Instagram, e më pas i bëri ftesë. E pyes se kush është dhe më tha “hasmi im”! Por, më tha, mos ki merak se nuk jam budalla të të fus ty dhe familjen tënde në siklete. Personi me emrin Lani Billa me pranoi ftesën, ne filluam të flasim dhe unë fillova ta pëlqej. Ai më tha se jetonte në Anvers, Belgjikë”, ka thënë Lakra, ndërkohë që shton se u lidhën me Billën në nëntor të vitit 2019.

“U lidhëm në nëntor të 2019, takoheshim përherë pranë qendrës tregtare pasi Lani jetonte me qira aty afër”.

Në atë kohë, Lakra tregon se i ka dhënë fund lidhjes me Sebastianin.

“Unë ndërkohë u ndava nga Sebastiani, i thashë që më pëlqen Lani dhe ai më tha të vazhdoj jetën time”.

“Ditën e ngjarjes e lamë do të takoheshim në darkë”, shton më tej Lakra.

Siç thonin burime të Anila Hoxhës, Hekuran Billa i ka shkruar të dashurës se vonohej pasi kishte punë në Doganën e Durrësit.

Gazetarja Anila Hoxha shpjegon se vajza foli me viktimën në orën 17:00 të asaj dite.

“Në orën 20 e lam që do të takoheshim për një orë”, rrëfen vajza, “u nisa me makinën time, por rrugës kishte shumë trafik. Hapa telefonin dhe pashë çfarë kishte ndodhur, aty pashë që kishte ndodhur një vrasje”, shton më tej e dyshuara, që këmbëngul se lënia e takimit me të dashurin dhe vrasja e tij ishin një rastësi.

“U ktheva dhe parkova makinën në garazh, aty pashë Sebastianin duke qarë dhe duke i rënë timonit me grushta”, shton më tej e dyshuara.

“Kur unë po qaja më pa Lulja, mamaja e Sebastianit dhe më pyeti se “çfarë ke?”, i thashë: Kanë vrarë Lanin!”.

Kur grupi i hetimit e pyeti të dyshuarën se ku e ka telefonin, 26-vjeçarja u përgjigj: E theva nga dëshpërimi!

Kush ishte Hekuran Billa?

Hekuran Billa, i njohur ndryshe si Herland Bilali, është një emër i njohur për drejtësinë angleze. Ai është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Prel Markut, ngjarje e ndodhur në 2006. Ai u shpall fajtor për tre akuza, “Vrasje” , “Vrasje mbetur ne tentative” dy herë si dhe “Plagosje me dashje”. Ekzekutimi tij ka sjellë nxjerrjen në dritë dhe rastin e një të dënuar me burgim të përjetshëm, por që çuditërisht shëtiste i lirë dhe me BMW X6, në Shqipëri.

Hekuran Billa ishte i dënuar me burgim të përjetshëm për akuzën e “Vrasjes në rrethana cilësuese ndaj 22 vjeçarit Prel Marku dhe plagosjen e rëndë të Musa Rrahmanit dhe një personi tjetër. Më pas Billa është deportuar nga Anglia në Shqipëri me qëllim vuajtjen e dënimit me burg përjetë në Shqipëri.

E kishte lënë burgun pas krahëve në Shqipëri në 23 shkurt 2019, duke shfrytëzuar disa gjykata në vend që i njohën vendimin e drejtësisë britanike nga 32 vite në 25 vite burgim.

Por vendimi që e afroi me lirinë është ky vendim i Gjykatës së Krujës aty ku i burgosuri mbahej. Sipas vendimit të gjyqtares Enkeleida Hoxha 40-vjeçarit të dënuar me 32 vite burg nga drejtësia britanike i kishin mbetur dhe pesë vite burgim. Në muajin shkurt gjykata vlerësoi se Billa kishte qëndruar ne qeli 19 vite, edhe vrasja që ai kreu në një lokal në Britaninë e Madhe ndodhi në tetor 2006.

Gjykata në vendimin që Top Channel disponon urdhëron shërbim prove për Hekuran Billën për pesë vitet e ardhshme, me kushtin qe ai të rehabilitohej. Gjykata mori parasysh pretendimin e të burgosurit që këmbënguli se prindërit e tij ishin të moshuar dhe jetonin vetëm.

Por provat që bindën gjykatën lidhen drejtpërdrejtë me një sërë shkresash e raportesh mjekësore që vërtetonin gjendjen jo të mirë shëndetësore të prindërve të Billës, si dhe një kontratë që Billa e kishte siguruar nga qelia dhe që garantonte punësimin e tij si korrier në një studio në kryeqytet.

Këto dokumente nuk u kontrolluan asnjëherë ashtu si edhe dënimi me kusht i 40-vjeçarit, i arrestuar pas krimit në Danimarkë në vitin 2007. Njëkohësisht gjykata të tjera kishin dhënë vendime për Billën.

Siç rezulton nga dokumentet, pasi Billa kreu krimin në Britani në vitin 2006, në korrik 2013 ministria e drejtësisë nisi procedurat për ekstradimin e tij. Më pas dënimi i drejtësisë britanike zbriti në 25 vjet burg në Shqipëri nga 32 që kishte dhënë Britania e Madhe qe njihet ndryshe si dënim plotësues i përjetshëm.

Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë nisi verifikimet për të zbuluar se si vendimi i drejtësisë britanike u njoh në vetëm 25 vite burg dhe se si hallkë pas hallke ky dënim zbriti në pesë vite kusht.

Top Channel