Një konflikt për markën tregtare të konjakut është vënë në qendër të hetimeve për zbardhjen e sulmit me tritol ndaj biznesit të deputetit Lefter Koka në Durrës.

Ngjarja ka ndodhur pak ditë më parë në Shkozet të Durrësit ku ndodhet kantina e pijeve ”Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, një shoqëri aksionere ku aksioner kryesor është Lefter Koka, por ka aksione dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë.

Mëngjesin e së martës një sasi tritoli e komanduar me dron është hedhur nga lart mbi kantinë duke shkaktuar dëme të vogla materiale. Si autor i dyshuar është arrestuar shtetasi Gentjan Meta 44 vjeç nga Shijaku, ndaj të cilit janë ngritur akuzat e “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, “Kanosja” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”.

Meta ka një lokal dhe punishte ku prodhon edhe konjak dhe sipas Jurgen Dashit, administrator pranë kantinës së pijeve ka pasur një konflikt mes palëve për markën e konjakut që është dhe shenjë dalluese e produktit. Ndërkohë nga administratori i kantinës dhe Policia Vendore deklarohet se sasia e tritolit ka qenë e vogël dhe dëmet të vogla. Sipas burimeve nga grupi hetimor synimi i autorit ka qenë më shumë paralajmërues e kërcënues për t’u tërhequr nga konflikti për markën.

Të akuzuar për përfshirjen në këtë ngjarje janë dhe menaxheri i lokalit të 44-vjeccarit dhe vëllai i tij të cilit iu gjet dhe një sasi vere me logon e një subjekti tjetër.
Njoftimi i policisë

Vendosi lëndë eksplozive në një objekt biznesi, identifikohet dhe arrestohet në flagrancë nga Policia.

Vihet në pranga edhe menaxheri i lokalit në pronësi të autorit të dyshuar, pasi nga kontrolli në mjetin e tij Policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri pistoletë.

Sekuestrohen një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, menjëherë pas njoftimit të marrë për shpërthimin e një sasie të vogël lënde eksplozive të hedhur mbi tarracën e një godine trekatëshe, objekt biznesi, në pronësi të shtetasit J. D., në lagjen nr. 14 Durrës, kanë organizuar punën dhe falë veprimeve të shpejta hetimore dhe profesionale, bënë të mundur identifikimin, kapjen dhe arrestimin e autorit të dyshuar, shtetasit: G. M., 44 vjeç, banues në Shijak.

Nga shpërthimi i lëndës eksplozive janë shkaktuar dëme të vogla materiale.

Në vijimësi të veprimeve hetimore u arrestua në flagrancë dhe shtetasi B. Z., 34 vjeç, banues në Shetaj, Durrës, menaxher i lokalit në pronësi të shtetasit G. M., pasi nga kontrolli i ushtruar në automjetin e tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë, me një karikator me 7 fishekë luftarakë.

Gjithashtu në vijim të veprimeve u procedua penalisht edhe vëllai i autorit të dyshuar të ngjarjes, shtetasi A. M., 46 vjeç, banues në Shijak, pasi nga kontrolli i ushtruar në banesën e tij në Shijak iu gjet një sasi vere me logon e një subjekti tjetër, veprime këto që bien ndesh me vendimin e gjykatës.

Në përfundim të veprimeve procedurale, materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, në ngarkim të shtetasit G. M., për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, “Kanosja”, “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”; në ngarkim të shtetasit B. Z., për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit “dhe në ngarkim të shtetasit A. M. për veprat penale “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.

Top Channel