Shqipëria është zyrtarisht anëtare e Këshillit të Sigurimit për dy vitet e ardhshme pas votimit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Kjo shënon herën e parë të përzgjedhjes në këtë funksion, pas 65 vitesh nga anëtarësimi i saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ku mbështet nga 175 vende anëtare të OKB-së nga 190 vende që morën pjesë në votim.
Ministrja e Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka në një intervistë për të dërguarin e Top Channel në New York, Muhamed Veliu ka dhënë opinionin e saj pas momentit historik të anëtarësimit në Këshillin e Sigurimit në OKB të vendit tonë me 175 vota nga 117 të nevojshme.
Ajo shprehet se është një moment historik i jashtëzakonshëm, një mundësi që erdhi pas 65 vitesh, kur ka shumë shtete të tjera që nuk janë anëtare.
Sipas ministres, vendit do t’i jepet mundësia që të ulet në tryezën më të madh dhe të rëndësishme globale, ku do të jepen mendime mbi çështje të paqes e sigurisë për të gjithë botën.
“Një moment historik i jashtëzakonshëm duke pasur parasysh që kjo mundësi erdhi pas 65 vitesh kur vendet e tjera nuk e kanë pasur këtë mundësi asnjëherë. Është një moment i jashtëzakonshëm për mundësitë për tu ulur si një vend i vogël në tryezën më të madh dhe të rëndësishme globale, moment i rëndësishëm për lidhjen tonë të jashtme që të forcojmë mundësitë me aleatët. Nuk kemi pasur mundësi që ta bënim deri tani hedhjen e mendimeve për zgjidhjen e problemeve globale. Jemi një ndërtues urash, një vend konstruktiv që ka shumë për të thënë e për të ofruar. Kemi mundësi të influencojmë vendime globale mbi çështje të paqes e sigurisë, krahas vendeve e aleatëve të sjellim shembujt më të mirë të zgjidhjeve të çështjeve”, tha Xhaçka.
Këshilli i Sigurimit, një organ i OKB-së me kompetenca të fuqishme, përbëhet nga 15 anëtarë, 5 prej të cilëve të përhershëm, SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Rusia dhe Kina që kanë të drejtë vetoje si dhe 10 anëtarë jo të përhershëm, me një mandat dy vjeçar.
Shqipëria, Brazili, Gaboni, Gana dhe Emiratet e Bashkuara Arabe ishin në garë, pa konkurrentë nga rajonet përkatëse, për 5 vendet.
Top Channel