Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara voton sot për të zgjedhur 5 anëtarë jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit.

Këshilli i Sigurimit, një organ i OKB-së me kompetenca të fuqishme, përbëhet nga 15 anëtarë, 5 prej të cilëve të përhershëm, ShBA, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Rusia dhe Kina, si dhe 10 anëtarë jo të përhershëm, me një mandat dy vjeçar, shpjegon Voa. Shqipëria, Brazili, Gaboni, Gana dhe Emiratet e Bashkuara Arabe janë në garë, pa konkurentë nga rajonet përkatëse, për 5 vendet.

Por për t’u zgjedhur, secila prej tyre duhet të sigurojë dy të tretat e votave të vendeve anëtare të OKB-së. Votimi është i fshehtë. Shqipëria është vendi i vetëm që nuk ka qenë asnjëherë anëtare e Këshillit të Sigurimit. Zakonisht shtetet e shpallin kandidaturën e tyre për Këshillin e Sigurimit vite më parë. Por ndodh që ka edhe vende që konkurrojnë në momentet e fundit.

Këtë vit, Republika Demokratike e Kongos vendosi muajin e kaluar të vinte kandidaturën, duke vënë në dyshim anëtarësimin pothuajse të sigurtë për dy shtetet e tjera afrikane, Gabonin dhe Ganën.

Megjithatë këtë javë, njoftimet nga Afrika vinin në dukje se Presidenti i Republikës Demokratike të Kongos, Felix Tshisekedi ka vendosur ta tërheqë kandidaturën. Këshilli i Sigurimit merret me paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Ai ka kompetenca të dërgojë paqeruajtës në rajone të trazuara, si dhe të miratojë sanksione. Mandati i antarëve të rinj fillon në 1 janar.

Top Channel