Po ndërtonte pa leje një objekt shtesë pranë banesës/ Arrestohet 52-vjeçari në Ksamil

11/06/2021 16:51

Një 52-vjeçar është arrestuar sot në Ksamil, pasi dyshohet se po ndërtonte një objekt të jashtëligjshëm.

Sipas policisë, shtetasi me iniciale L.M., po bënte një shtesë në ndërtesën ekzistuese, të cilën po ashtu e ka pa leje ndërtimi. Objekti ndodhet në lagjen numër 2 të Ksamilit, në një zonë që konsiderohet si “vija e verdhë” në qytetin bregdetar.

Njoftimi i policisë:

Në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e veprimit të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, për marrjen e masave me qëllim parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e ndërtimeve pa leje, veçanërisht brenda vijës së verdhë në zonat urbane, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë gjatë kontrollit të territorit në Ksamil, kanë konstatuar se brenda vijës së verdhë po kryhej një ndërtim pa leje.

Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”, i shtetasit L. M., 52 vjeç, banues në Ksamil, Sarandë.
Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi u konstatua në lagjen Nr. 2, Ksamil, duke ndërtuar një objekt shtesë në një objekt ekzistues në truallin në pronësi të tij, i papajisur me leje ndërtimi nga autoritetet kompentente.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”.

Top Channel