“Mos fol më! Poshtë diktatura”, Ballës i ndërpresin fjalën në konferencën para gazetarëve, ja si reagon ai

11/06/2021 11:57

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla po mbante një konferencë para gazetarëve ku përshëndeti vendimin e SHBA për përfshirjen e Shqipërisë në urdhrin ekzekutiv që parashikon bllokimin e pasurive dhe pezullimin e hyrjes në Shtetet e Bashkuara të personave që kontribuojnë në destabilizimin e Ballkanit Perëndimor.

Balla i kërkoi të heshtin atyre që janë shpallur zyrtarisht si persona që kanë kontribut negativ në forcimin e shtetit të së drejtës.

“E përshëndes dhe besoj që të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor janë në atë listë dhe një rritje e vëmendjes inteligjente ose jo dhe të kontrollit financiar të SHBA kundrejt një lufte të përbashkët kundër korrupsionit është një akt i mirëpritur.

Ajo që më është dukur shumë qesharake është reagimi i atyre që janë të shpallur zyrtarisht si persona të identifikuar nga SHBA që kanë kontribut negativ në forcimin e shtetit të së drejtës në dobësimin e luftës kundër korrupsionin, prandaj do t’ju sugjeroja që të heshtin dhe dua të përshëndes SHBA për gjithë mbështetjen që i japin Shqipërisë në çuarjen përpara të reformës në drejtësi dhe në forcimin e këtij koalicioni dhe aleance strategjike në kuadër të NATO-s dhe në kuadër bilateral me SHBA”, tha Balla.

Teksa po fliste para gazetarëve, një person që po dëgjonte Ballën nisi të bërtiste: “Poshtë diktatura! Mos fol mo o burrë. Mos fol!” Këtë moment, Taulant Balla e kaloi me të qeshur dhe për disa sekonda ndërpreu fjalën për të vijuar më pas sërish me përgjigjen e pyetjeve të gazetarëve.

Top Channel