DASH mbështet integrimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE: Hapja e negociatave të bëhet pa vonesa!

11/06/2021 10:18

Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price ka shprehur mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për integrimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian.

Në një deklaratë që mbërrin pikërisht në prag të vendimit të Këshilli Evropian për të dy vendet, Price përcjell mbështetjen e qartë të Washingtonit dhe angazhimin e plotë të tij për integrimin e të dy vendeve.

“Ne mbështesim hapjen e negociatave të pranimit në BE me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë pa vonesë. Ne jemi duke u angazhuar në nivelet më të larta të qeverisë për të demonstruar përkushtimin tonë në rrugët evropiane të aspirantëve”, ka shkruar zëdhënësi në Twitter. Kanë mbetur vetëm pak ditë nga vendimi i Këshillit Europian, i cili duhet të japë një datë për Konferencën e Parë Ndërqeveritare.

Pengesa më e madhe deri tani ka qenë Bullgaria dhe ngërçi mes saj dhe Shkupit, që ka bllokuar dhe Shqipërinë. Në Berlin, nga konferenca e ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor, kryediplomati gjerman Heiko Maas se negociatat do të hapen brena këtij viti. “Unë jam optimist se këtë do ta realizojmë, edhe pse është e vështirë dhe po zgjat më shumë se ç’duam”, u shpreh ai.

Top Channel