Anëtarësimi në Këshillin e Sigurimit në OKB/ Xhaçka: Mundësi historike dhe një arritje e shkëlqyer

11/06/2021 21:39

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka ka dhënë një mesazh pas anëtarësimit të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për dy vitet e ardhshme.

Ajo është shprehur se është një mundësi historike dhe një arritje e shkëlqyer për diplomacinë shqiptare.

Shqipëria ka fituar të drejtën për të qenë një nga anëtarët e Këshillit të Sigurimit për një mandat dyvjeçar për vitet 2022-2023. Kjo do të thotë që nga 1 janari 2022 vendi ynë do të jetë anëtari i forumit më të lartë të politikës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare ku trajtohen dhe merren vendime për çështjet më të mprehta që shqetësojnë botën sot sa i takon paqes dhe sigurisë. Dua të falënderoj shumë të gjitha ato vende që na mbështetën me votën e tyre, që mbështetën kandidaturën e Shqipërisë. Dua të falënderoj shumë edhe grupin e Europës Lindore që zgjodhën t’i japin Shqipërisë mundësinë për t’i përfaqësuar në Këshillin e Sigurimit. Po kjo mbështetje nuk është e rastësishme, në fakt ajo është konfirmimi më i mirë i respektit dhe i besueshmërisë që gëzon sot Shqipëria si një vend, shtyllë stabiliteti në rajon, si eksportues sigurie në misionet paqeruajtëse dhe faktor stabiliteti dhe konstruktiviteti në çdo forum ndërkombëtar ku ka kontribuar. Një falënderim shkon për të gjitha ata burra dhe gra diplomatë dhe politikanë shqiptarë që kanë punuar për vite me radhë për të arritur këtë fitore kaq të madhe të diplomacisë shqiptare”, tha ministrja.

 “Po përtej gëzimit dhe kënaqësisë krejt legjitime, fakti se na është dhënë një mundësi e tillë historike është edhe një përgjegjësi e madhe. Ne jemi të vetëdijshëm që duhet të kemi pritshmëri realiste për atë që mund të arrijmë në Këshillin e Sigurimit. Po ashtu jemi edhe optimist se me një plan të mirë pune me një strategji dhe objektiva të qarta, me përgatitje serioze për ditën kur do të ulemi në Këshillin e Sigurimit mund të arrijmë shumë. Sot që flasim përgatitjet janë duke vazhduar ethshëm dhe jemi në prag të finalizimit të skuadrës që do të përfaqësojë Shqipërinë, pra të gjitha atyre që do të përzgjedhë si diplomatë më të mirë nga shërbimi i jashtëm, por kemi hapur edhe një thirrje për të ofruar te kjo skuadër ekspertë më të mirë jashtë sistemit, atë që do të bëhen pjesë në atë që e kemi quajtur ekipi i ëndrrave në Këshillin e Sigurimit”, tha Xhaçka.

Top Channel