Votoi për shkarkimin e Metës, Tedi Blushi nxjerr fotografinë e deputetit me 500 euro në ballë: I siguroi pushimet edhe këtë vit

10/06/2021 08:24

Një prej deputetëve të opozitës që votoi në Parlament për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta është edhe Besnik Troplini, i cili bën pjesë në grupin parlamentar të drejtuar nga Myslim Murrizi.

Së fundmi, ka qarkulluar më rrjet një fotografi e Troplinit duke festuar me 500 euro në ballë. Këtë e ka publikuar zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi, i cili thotë se “deputeti me votë në ballë” i siguroi pushimet edhe këtë vit.

“Deputeti me “votë” në ballë, i grupit “antikorrupsion” të murrizëve, në pritje të direktivave nga përtej “oqeanit”.
I siguruan çunat pushimet edhe për këtë vit! Ha ha ha”,
shkroi Blushi.

Nga e njëjta sallë ku katër vite më parë e votuan si President, socialistët vendosën ta largojnë nga detyra Ilir Metën, këtë herë me një opozitë të re.

Ilir Meta vendosi precedentin e parë në historinë e Shqipërisë të një Presidenti të shkarkuar nga Parlamenti. Si rrallë herë Edi Rama i rezervoi ish-aleatit të tij vetëm dy minuta nga koha e tij parlamentare.

Në të njëjtën kohë kur Parlamenti vendoste për fatin e tij politik kënga dhe vallja gjëmonte në oborrin e Presidencës. Ilir Meta injoroi Parlamentin dhe foli me zërin e zëdhënësit të tij, i cili e konsideroi vendimin antikushteues.

Për herë të parë nga nisja e hetimit parlamentar heshtjen e theu edhe Partia Demokratike, e cila më shumë sesa lir Metën, mbrojti institucionin e Presidentit.

Kuvendi pritet t’ia dërgojë vendimin e tij brenda harkut kohor te 5 ditëve gjykatës kushtetuese që është arbitri final. Votat e 5 nga 7 anëtarëve kushtetues mund ta nxjerrin përfundimisht nga zyra e Presidentit, Ilir Metën.

Top Channel