Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, përmes një postimi në rrjete sociale, shkruan se vendi ynë është drejt rrugës për daljen nga tuneli i gjatë i pandemisë, por ende duhet të tregohet kujdes nga qytetarët.

Aktualisht po marrin trajtim spitalor 20 pacientë, nga të cilët 6 pacientë janë në terapi intensive, ndërsa numërohen më pak se 200 raste aktive me Covid-19 në të gjithë vendin.

“Punë e palodhur e stafit të Infektivit, njësoj si ditën e parë, në shërbim të çdo pacienti që po merr trajtim në spital. Aktualisht janë 20 pacientë të shtruar dhe më pak se 200 raste aktive me covid19 në të gjithë vendin, por ka ende nevojë për kujdes dhe vigjilencë, në këto metra të fundit drejt daljes nga tuneli i gjatë i pandemisë”, shkruan ministrja bashkangjitur fotos së stafit të spitalit Infektiv.

Situata në vend vijon të jetë e qëndrueshme dhe me shifra pozitive. Në 24 orët e fundit janë shënuar 11 raste të reja me Covid-19, ndërsa sërish nuk është regjistruar asnjë humbje jete.

Top Channel