Urdhri i Biden, analisti Mërtiri në “Open”: Shqipëria qeveriset nga Bajraktarë!

10/06/2021 22:14

Analisti Ergys Mërtiri, i ftuar në ‘Open’ ditën e sotme, ka folur për urdhrin ekzekutiv të presidentit të SHBA Joe Biden, për bllokimin e pronës dhe ndalimin e hyrjes në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të personave që kontribuojnë në destabilizimin e Ballkanit Perëndimor.

Ky urdhër përfshin ish-vendet e Federatës Jugosllave dhe Shqipërinë.

Mërtiri shprehet se ky urdhër tregon se në Shqipëri nuk ka një shtet funksionalë, duke thënë se ky vend qeveriset nga ‘Bajraktarë’, të cilët nuk mbajnë përgjegjësi për veprat që bëjnë.

Mërtiri: Çdo urdhër që ka për qëllim luftimin e korrupsionit është gjë e mirë, çështja është sa do ja arrijë dhe të japë efekte. Unë e shoh si negative faktin që ky urdhër del dhe tregon se çfarë realiteti është ky në Shqipëri. Ky urdhër tregon që ky vend nuk ka shtet, nuk ka institucione, nuk mund të dënojë dot korrupsionin. Tregon që ky Rajon, kryesisht Shqipëria, është një vend që qeveriset nga Bajraktarë, të cilët nuk mbajnë përgjegjësi për veprat që bëjnë. Përsa kohë një superfuqie i duhet të ndërhyjë nga jashtë me veprime të tilla, tregon që shteti në këtë vend është katandisur si mos më keq. Ndërkombëtarët shpeshherë janë nisur për mirë në këtë vend, por këta makinacionet e vogla kanë ditur të dredhojnë, nuk e dimë sa do ja dalin edhe kësaj here. Mund të jep skeptik në ndikimin e lobigjeve të caktuara në heqje apo vendosje emrash.

Sipas urdhrit ekzekutiv të firmosur nga Biden, përfshihen personat që kontribuojnë në kërcënimin e paqes, sigurisë, stabilitetit ose integritetit territorial të çdo zone ose shteti, përgjegjës ose bashkëpunëtor, ose të përfshihesh drejtpërdrejt ose indirekt në veprime ose politika që minojnë proceset demokratike ose institucionet në Ballkanin Perëndimor.

Top Channel