Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj ka zhvilluar një takim me drejtorët e burgjeve ku ka zbuluar shifrat e testimeve ndaj Covid-19 në burgje dhe lehtësimet e masave që do të hyjnë në fuqi që prej 14 qershorit.

Ministrja ka renditur masat që janë ndërmarrë për takimet e të burgosurve apo për dhënien e lejeve të posaçme për 3 muaj.

Përkatësisht do të lehtësohen masat në: takimet me familjarët, rifillimin e lejeve të veçanta, rifillimi i aktiviteteve kulturore dhe sociale. Familjarët duhet të paraqesin test Covidi ose të tregojnë që janë vaksinuar në rast se do të takohen me të dënuarit.

Në më shumë se 1 vit në pandemi, Gjonaj tha se janë kryer 1520 testime, nga të cilët 656 janë të burgosur. Sa i përket shifrave të infektimeve, 204 kanë rezultuar me Covid-19 dhe 451 negativ. Edhe tek forcat blu ka pasur humbje jete si pasojë e koronavirusit. Gjonaj tha se kanë ndërruar jetë 7 policë dhe dy të dënuar.

“Duke zbatuar të gjitha urdhrat për shtimin e masave në të gjithë personelin për përhapjen e virusit. Është dashur që të merreshin disa masa për të parandaluar përhapjen e Covid-19. Stafi shëndetësor në burgje ka kontrolluar gjatë gjithë kohës për 15 muaj të gjithë të burgosurit.

Janë kryer në të gjitha rastet hetimet epidemiologjike për të parandaluar përhapjen e pandemisë. Janë shënuar dy humbje jetë të të burgosurve për shkak të Covid-19, por kanë pasur edhe sëmundje bashkëshoqëruese. Stafi meriton të gjitha lëvdatat për arritjen e këtij rezultati kaq pozitiv deri më tani. Kemi pasur edhe humbje jete të 7 punonjësve të stafit mjekësor. Është rritur numri i komunikimeve telefonike dhe për herë të parë janë bërë takime me skype me të dënuarit.

Kanë filluar lehtësimet e masave në burgje. Lehtësimi i masave kufizuese në sistemin e burgjeve, është fokusuar në tre drejtime:

Rifillimi i kufizuar të takimeve me familjarët, dhe të afërmve të tyre.

Rifillimi i dhënies së lejeve të veçanta.

Si dhe rifillimi i aktivitetet sociale dhe kulturore, në institucionet penitenciare.

Konkretisht, masat e reja do të fillojnë të aplikohen nga data 14 qershor për një periudhë e cila do të jetë nën monitorim të vazhdueshëm nga të gjitha struktura shëndetësore dhe ekipi drejtues i DPB-së dhe i burgjeve që konsistojnë konkretisht:

Rifillimin e lejimit të takimeve të të dënuarve me familjarët, me një takim në muaj duke respektuar distancën e sigurisë, kontrollin shëndetësor, ku familjari është i detyruar të paraqesë vërtetimin e vaksinimit, ose dokumentin e testit se nuk është i infektuar me covid, apo teste të tjera serologjike që tregojnë se e kanë kaluar situatën e covidit. Gjatë takimeve do të respektohen të gjitha rregullat e tjera anti Covid19 në institucione që do të jenë ende në fuqi. Për të miturit e dënuar, do të lejohen 4 takime në muaj me të njëjtat kërkesa për familjarët. Po gjithashtu do të vijojnë të ruhet praktika shumë e mirë e krijuar ashtu siç përmenda me komunikimin online me Skype.

Rifillimin e dhënies së lejeve të veçanta, në zbatim edhe të udhëzimit të miratuar së fundmi në zbatim të ligjit të ri nr. 81/2020, Udhëzim nr.4 , datë 22.01.2021  i ministrit të Drejtësisë, “Për përcaktimin e procedurave të dhënies së lejeve shpërblyese apo të veçanta për të dënuarit”, por kjo situatë do të jetë vetëm për raste mortore gjithmonë sipas parashikimeve ligjore dhe vlerësimit të rrezikshmërisë nga drejtoritë e policisë vendore.

Rifillimin e aktiviteteve të përbashkëta, sociale dhe kulturore në mjediset e burgjeve, kjo do të kryhet duke mbajtur në konsideratë dhe duke respektuar distancën e sigurisë dhe rregullat e tjera anti Covid19, por me qëllim që ti shërbejë rehabilitimit dhe riedukimit të të gjithë personave të cilët ndodhen në institucione, do duhet të rifillojnë këto aktivitete”, tha Gjonaj.

Top Channel