Policia e Shtetit i ka vendosur sekuestro preventive disa pronave i disa prona që kapin vlerën rreth 3 milionë euro, në pronësi të dy vëllezërve dhe të një shtetasi tjetër.

Policia thotë se pasuritë janë siguruar nga veprimtaria kriminale e shtetasit Gëzim Sallaku, i cili është dënuar në Itali. Sallaku ka kryer veprimtari kriminale dhe është dënuar në shtetin italian nga viti 1999 – 2008.

Sekuestro preventive për këto pasuri u bë i mundur pas finalizimit të hetimeve 3-vjeçare në ngarkim të dy vëllezërve dhe të një shtetasi tjetër, me të cilin dy vëllezërit kanë lidhje shoqërore.

Pasuritë që u është vendosur sekuestro preventive janë:

– Sekuestro 100% të aksioneve të shoqërisë “GSA Sallaku” sh.p.k, me aktivitet “Import, eksport, tregti autoveturash, kamionësh etj”, me seli në Durrës, me ortak të vetëm dhe administrator shtetasin Gëzim Sallaku;

– 2 apartamente, në Durrës, në emër të shtetasit Gëzim Sallaku;

– 20.600 m2 sipërfaqe toke arë, në Durrës, në emër të shtetasit Gëzim Sallaku;

– 1000 m2 sipërfaqe toke truall, mbi të cilën janë ndërtuar 2 banesa me sipërfaqe 140 m2 secila, në Durrës, në emër të shtetasit Gëzim Sallaku;

– Një godinë banimi dykatëshe dhe 2 apartamente banimi, në Durrës, në pronësi të shtetasit R. K.;

13 automjete të markave të ndryshme në pronësi të shoqërisë tregtare “GSA Sallaku”.  

Vazhdon puna nga Njësia e Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar, për identifikimin e pasurive të tjera të këtyre personave dhe lidhjeve të tyre familjare dhe shoqërore.

Njësia për Hetimin e Krimit Ekonomik në Drejtorinë Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, në vitin 2018, nisur nga disa transferta të dyshimta bankare të shtetasve të sipërpërmendur, ka filluar hetimin për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale”.

Materialet për ekzekutimin e Vendimit të Gjykatës iu dërguan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës.

Top Channel