Nga Anila Hoxha

Për të luftuar krimin në Shqipëri ekzistojnë – Task Force antiskifter, e megjithatë vjedhjet e banesave dhe sulmet në rrugë janë kthyer në një shqetësim të madh. Njësia për kapjen e personave në kërkim, e formatuar në 2019 dhe pjesë e rrjetit europian Enfast, e megjithatë të kërkuarit vënë gjoba nga arratia, vrasin e lajnë hesape dhe po krijojnë ekuilibra të reja në kriminalitet.

– Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara e Konfiskuara, mirëpo asetet e kriminelëve diktojnë standardin e të jetuarit të çdokujt tjetër.

Pasuritë e tyre mezi gjurmohen dhe pastrimi i parave po kalon ditë të mira.- 41 biss , e megjithatë prej një viti aty mbahen vetëm shtatë persona, të rrezikshëm të tjerë, ose lirohen fare nga burgjet, ose telefonojnë dhe japin urdhra tek anëtarët e grupeve direkt nga qelia. Bëjnë pazare me ndërmjetës që duhet të ndikojnë tek gjyqtarë e prokurorë nën ankth vettingu.

– SPAK, e megjithatë ajo çfarë pritej është shumë larg asaj që duhet të ndodhë, të korruptuarit e mëdhenj as që duken në horizont. Për një sërë çështjesh, të posaçmit e hetimit lajnë duart dhe me vrap shpallin moskompetencën në heshtje, duke i kaluar si çështje të lehta dhe duke i shpërndarë në prokurori të zakonshme.

– ILD, që duhet të hetojë njerëzit e drejtësisë e megjithatë ky institucion u kap pas fustanit të një gjyqtareje dhe s’ka asnjë të re për një prokuror në Pogradec që heton ende duke sjellë termat e diktaturës dhe ka harruar njerëz në burg, ose për prokurorë në Dibër që prokurori i përgjithshëm i akuzon se kanë zvarritur proceset hetimore.

– Këshilli i Lartë Prokurorisë dhe ai Gjyqësor që mërirosen e pajtohen edhe për sherre se kujt duhet  t’i përkasë menca në ambientin e përbashkët të Polit të Drejtësisë.

– Prokurori i Përgjithshëm, Ministri i Drejtësisë që hartojnë politika penale për luftën ndaj kriminalitetit e megjithatë, njëri kërkon më tepër pushtet duke ëndërruar të fuqizohet siç ishte prokurori i përgjithshëm para reformës . Tjetri vetëm ndryshon Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale.

– Forca e Ligjit , e megjithatë më tepër ekziston e kundërta, LIGJI I TË FORTIT

-RENEA , e megjithatë ky gjerdan i artë i policisë përdoret për të kërkuar armët mbas krimit sikur të jetë duke mbledhur kanaçe

…. dhe shumë të tjera dhe prapë …dhe sërish …dhe frikshëm gjahu i krimit nuk ndalet.

Policia së bashku me prokurorinë, vazhdojnë të hetojnë me metoda të vjetëruara, duke përgjuar e ndjekur përherë familjarët e viktimave që ekzekutohen nga krimi i organizuar . Me shpresën se nëpërmjet tyre do mësojnë fshehtas identitetin e vrasësve. Nevojitet lidership dhe vizion që të kërkojë një polici të orientuar nga inteligjenca dhe informacioni. Vetëm muaj e fundit shtatë të vrarë për trafik droge, pazare kokaine, pazare hashashi.. dukshëm dhe hapur lënë të kuptohet se krimi i organizuar jo vetëm që nuk stepet, por ka dalë në dritë të diellit agresiv duke rrezikuar qytetarët e rastësishëm në ambientet publike.

Asnjë autor veç fjalëve dhe hipotezave apo pistave, derisa disa prej tyre konfirmohen si të tilla mbasi pala tjetër e eleminon. Politika vjen dhe ikën, mëson e çmëson pushtetin, por policisë vijohet t’i kërkohet llogari për ndërtimet pa leje dhe duke e trajtuar si multi-funksionale për çështje nga prerja e pyjeve deri tek peshkimi apo zhdukja e pelikanit kaçurrel, megjithëse ekzistojnë insitucione përgjegjëse të tilla si IKMT, Polici pyjore dhe Drejtoria e Shërbimit të Peshkimit.

Ky presion që miratohet në heshtje nga liderët e saj ,e ka distancuar ndjeshëm nga misioni kryesor, parandalimi dhe ofrimi i sigurisë në komunitet për të reduktuar kriminalitetin dhe për të garantuar lirinë nga frika dhe lirinë nga nevoja dhe për të mbrojtur jetën, shëndetin, pronën private dhe atë publike.

Strategjia ndërsektoriale E SIGURISË NË KOMUNITET për 2021- 2026, pra për gjashtë vitet e ardhshme premton vizionin e një komuniteti të sigurt, e megjithatë sistemi i referimit të kriminalitetit dhe ndërtimi i një sistemi efektiv ka ngecur. Viktimat e dhunës në familje , përdoruesit e drogës apo të çdo kategori vulnerabël s’duket të jetë përfshirë në mekanizmin e duhur parandalues. Ligjet për dhunën në familje janë kthyer në një copë mbi të cilën veçse arnohet dhe sërish nuk është fituar as me ndërgjegjësim dhe as me represion që krimet makabre të reduktohen. Gratë e dhunuara jetojnë nën një çati me dhunuesit , dhe zinxhiri i kësaj dhune vijon të vlerësohet si një punë vetëm e policisë dhe e gjykatës. Të tjerët janë terma vetëm në letër.

Efektet financiare për planin e kësaj strategjie deklarohen si vijon “Kostoja e përgjithshme e përllogaritur për zbatimin e kësaj strategjie dhe Planit të Veprimit është 7,760,392,246 lek, ose 62, 083,138 euro. Kursi mesatar për referencë është përllogaritur me 125 lek për 1 euro.”.

Kurse , strategjia kunder krimit te organizuar 2021- 2025 llogarit këto shpenzime korrente: “Kostoja e përgjithshme e përllogaritur për zbatimin e kësaj Strategjie dhe e planit të veprimit është 19,947,019,300 lekë ose 159,576,154 euro. Kursi mesatar për referencë është përllogaritur me 125 lekë për 1 euro”.

Aty premtohen struktura të tjera dhe akoma më të bukura ne dukje, e mbase dhe në përmbajtje , si ngritja e Sistemit të Paralajmërimit të Hershëm; ngritja dhe funksionimi i Observatorit Kombëtar të Drogave… e të tjera.!

Derisa ky vullnet të zbërthehet në veprim, duhen hedhur ca hapa akoma më të vegjël, por të rëndësishëm , si rritja e vullnetit për të luftuar krimin , për të motivuar policët, jo vetëm me pagim dietash të prapambetura në prag protestash si dhe për të mbështetur këdo ligjdashës që nuk është e vështirë ta njohësh.

Është ai ose ajo , polici dhe policja qe e kanë harruar nëpër komisariate, ai oficeri i grupit operacional që fle rrugëve në ndjekje të kriminelit dhe në fund i kërkohet llogari për karburantin, është ai polici që ka mbajtur mbi shpinë qindra eksperimente ministrash, shefash e drejtorësh që llogarisin sa gjethe rrezon vjeshta në Gjirokastër duke e çuar këtë qytet në vend të parë për kriminalitet në shkallë vendi. Është ajo prokurorja që thonë se ishte një kohë kur edhe kriminelët luteshin “O Zot bëj të mos më hetojë ajo”.

Top Channel