Shqipëria pjesë e urdhrit të ri Ekzekutiv për sanksione në Ballkan, reagon Ambasada e SHBA: Mjet jetik për integrimin e rajonit në strukturat europiane

09/06/2021 10:37

Ambasada e SHBA në vendin tonë ka reaguar për përfshirjen e Shqipërisë në urdhrin e Joe Biden që parashikon bllokimin e pasurive dhe pezullimin e hyrjes në Shtetet e Bashkuara të personave që kontribuojnë në destabilizimin e Ballkanit Perëndimor.

Ky urdhër që përfshin tashmë edhe Shqipërinë dhe zgjeron objektin e saj përfshin personat që kryejnë korrupsion dhe minojnë institucionet demokratike.

Në një reagim zyrtar, ambasada e SHBA thotë se urdhri i djeshëm është mjet jetik drejt arritjes së qëllimit të përbashkët për integrimin e rajonit në strukturat europiane dhe Euro-Atlantike.

Reagimi: Presidenti Joe Biden miratoi një Urdhër Ekzekutiv (E.O.) të ri dje, i cili autorizon përdorimin e sanksioneve kundër personave të përfshirë në një sërë aktivitetesh destabilizuese në Ballkanin Perëndimor, përfshirë personat e angazhuar në përpjekje që kërcënojnë paqen, sigurinë dhe stabilitetin rajonal; cënojnë proceset demokratike; dhe përfshihen në korrupsion në lidhje me rajonin ndër aktivitete të tjera. Një referencë e qartë për Shqipërinë bën të qartë se Urdhëri Ekzekutiv është në përputhje me punën që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian kanë bërë për të integruar rajonin në strukturat Europiane dhe Euro-Atlantike. Urdhëri Ekzekutiv i djeshëm është një mjet jetik drejt arritjes së këtij qëllimi të përbashkët.

Ky Urdhër Ekzekutiv i cili është vazhdim i atij fillestar të vitit 2001, që parashikon sanksione për individë të Ballkanit Perëndimor që shihen si rrezik për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, për herë të parë përfshin Shqipërinë, i cili është shteti i vetëm që përmendet me emër.

Sipas urdhrit, veprimet që minojnë marrëveshjet dhe institucionet e pasluftës pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, si dhe korrupsioni i përhapur brenda qeverive të ndryshme dhe institucioneve në Ballkanin Perëndimor, pengojnë përparimin drejt qeverisjes demokratike dhe integrimit të plotë në institucionet transatlantike.

Për këtë arsye, vazhdon urdhri ato “përbëjnë një kërcënim të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara”.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, korrupsioni dëmton drejtpërdrejt politikën e jashtme dhe sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe të partnerëve e aleatëve të tyre. tanë.

“Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të nxitur llogaridhënien dhe për të luftuar korrupsionin në Ballkanin Perëndimor dhe në të gjithë botën”, thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.

Presidenti Biden shprehet në urdhrin ekzekutiv se “është e nevojshme të bllokohen pronat dhe interesat mbi pronat e çdo personi për të cilin Sekretari i Thesarit, në konsultim me Sekretarin e Shtetit, ka arritur në përfundimin se minon proceset ose institucionet demokratike, apo marrëveshjet ose kornizë rajonale për sigurinë, paqen, bashkëpunimin, njohjen reciproke, ose mekanizmat e llogaridhënies, janë të përfshirë në shkelje serioze të të drejtave të njeriut, apo të përfshirë drejtpërdrejt ose indirekt në korrupsion”.

Shtëpia e Bardhë thotë se Departamenti i Thesarit, në konsultim me Departamentin e Shtetit do të vazhdojë të përditësojë listën e individëve që u nënshtrohen sanksioneve sipas këtij urdhri.

“Garantimi i sigurisë dhe stabilitetit politik të rajonit të Ballkanit Perëndimor është në përputhje me angazhimin e administratës Biden për avancimin e interesave thelbësore të sigurisë kombëtare të SHBA, përfshirë mbrojtjen e institucioneve demokratike”, thotë Shtëpia e Bardhë.

Urdhri që zgjeron kompetencat për të marrë masa ndaj personave që janë të përfshirë në këto kategori, pason vendimin e Shtëpisë së Bardhë javën e kaluar për ta shpallur luftën kundër korrupsionit si një përparësi themelore të interesave të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

Urdhri fillestar ekzekutiv i vitit 2001 nga ish-Presidenti George W. Bush, pas luftrave në Ballkan, parashikonte sanksione në lidhje me ekstremizmin e dhunshëm, shkeljen e Marrëveshjeve të Dejtonit dhe Rezolutën 1244 të OKB-së për Kosovën dhe kërcënonte stabilitetin në rajon.

Ky urdhër është rinovuar çdo vit që atëherë nga Presidentët amerikanë.

FOTO GALERI
1/7

Top Channel