Data për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel do të jetë 15 qershori njoftoi zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano.

Ky do të jetë takimi i parë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Procesi i bisedimeve që shënoi një rifillim në korrik të vitit të kaluar, u pezullua sërish për shkak të zgjedhjeve në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar disa herë se bisedimet nuk janë përparësi e qeverisë së tij, por nuk u shmanget atyre. Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës të shpallur më 17 shkurt të vitit 2008, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian dhe është zotuar se nuk do ta njohë atë, duke kërkuar siç thuhet, një zgjidhje kompromisi, ndërsa Kosova e cilëson të panegociueshme pavarësinë e saj.

Procesi i bisedimeve ka ngecur vjeshtën e 2020, kur pala serbe ka hapur çështjen e zbatimit të marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë. Përpara konfirmimit të datës për rinisjen e procesit, zyrtarët e të dyja palëve vazhduan me deklarata kontradiktore në lidhje me këtë Asociacion.

Kurti tha se nuk mund të formohet asnjë asociacion një etnik, ndërsa Vuçiç u shpreh se Kurti nuk ka nevojë të shkojë në Bruksel, nëse nuk dëshiron të bisedojë për formimin e Asociacionit. Kurti, në disa raste, e ka bërë të qartë se takimi i tij me Vuçiçin në kontekst të dialogut nuk do të jetë vazhdim i tij, por fillim i një procesi të ri.

Top Channel