Tufa e elefantëve të famshëm të Kinës në arrati, kapet në dremitje pas 600km rrugëtim (fotot)

08/06/2021 15:18

Tufa e elefantëve të arratisur që ka magjepsur Kinën është kapur sot nga kamerat në një pushim ‘të merituar’ pas rrugëtimit rreth 600 kilometra, që prej largimit të tyre nga rezervati natyror në veri të vendit.

Grupi i 15 elefantëve aziatikë kanë bredhur të pafrenuar drejt qytetit Kunming në provincën Junnan që prej 16 prillit kur dolën nga rezervati në Xishuangbanna Dai.

Sot grupi dukej i ezauruar në zonën natyrore të Xinyang, rreth 70 km në jugperëndim të Kunming, ku shiheshin të shtrirë duke u relaksuar në lëndinë.

Tufa dukej e shtrirë në formë dominoje teksa më të vegjlit mbështeteshin në këmbët e prindërve dhe me trup mbi njëri-tjetrin.

Autoritetet kanë tentuar të bllokojnë hyrjet e qyteteve nga elefantët duke vendosur kamionë të parkuar dhe barrikada.

Gjatë rrugëtimit të tyre epik, elefantët janë filmuar nga dronë dhe kamera sigurie duke ecur natën në rrugët mes qyteteve, si dhe duke shkaktuar dëme në të mbjella dhe frikë mes banorëve.

Tufa ka bastisur ferma në kërkim të ujit e ushqimit, kanë dëmtuar një dyqan makinash dhe kanë rrethuar një shtëpi kujdesi për të moshuarit, duke bërë që rezidentët të fshiheshin poshtë krevateve, sipas raportimeve vendase.

Autoritetet thonë se dëmet e elefantëve në hambarët dhe të mbjellat e fermerëve kanë arritur në 6.8 milionë huan ($1.1 milionë).

FOTO GALERI
2/11
Tufa e elefantëve të arratisur që ka magjepsur Kinën është kapur sot nga kamerat në një pushim të merituar pas rrugëtimit

Top Channel