Largimi nga puna për punonjësit me statusin e nëpunësit, duhet të jetë i argumentuar më së miri pasi janë këta persona që fitojnë gjyqet me shtetin shqiptar.

Të dhënat tregojnë se në 7 vitet e fundit u shpenzuan përmes pagesave nga thesari i shtetit rreth 108 milionë euro për të shlyer faturat gjyqësore për pushime të padrejta nga puna të 14,487 punonjësve.

“Ajo që më rezulton mua duke parë edhe emra që marrin disbursime për shkak të vendimeve gjyqësore për largim të padrejtë nga puna që dalin në thesarin e shtetit shikon që janë njerëz të angazhuar në struktura partie në forume partie apo edhe të karakterit militant që gjithmonë janë në listat e pagave dhe që kur largohet partia e tyre vijojnë të marrin pagat. Kjo ka ndodhur me doganat, me institucionet kryesor te të ekzekutivit apo me institucionet e pavarur”,  u shpreh Arianita Brahaj, Drejtuese e “Open Data”.

Sipas të dhënave zyrtare në gjykatat administrative në vend janë zhvilluar më shumë se 6000 procese gjyqësore ku janë kërkuar dëmshpërblime për largimet nga puna. Konkretisht për periudhën 2014-2020 në Tiranë janë zhvilluar 3481 procese gjyqësore. Në Korçë janë zhvilluar 1049 procese, në Gjirokastër 530 dhe në Vlorë 1672 procese gjyqësore.

Listën me 10 institucionet problematike sa i përket largimeve nga puna e kryeson drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve e ndjekur nga Drejtoria e Doganave. Problematike rezulton edhe Bashkia Tiranë, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, Ministria e Financave dhe Ekonomisë,

Ministria e Brendshme, e Arsimit. Kuvendi, Ministria e Mbrojtjes dhe ajo e Drejtësisë.

Vetë Ministria e Financave dhe Ekonomisë, institucioni kyç në menaxhimin e financave publike raporton shpenzime të konsiderueshme për shkak të shkarkimeve nga puna të punonjësve. Vlera që ka paguar ky institucion që nga viti 2008 për dëmshpërblimet është mbi 252 milionë lekë

Ndërkohë që detyrimet për tu paguar deri më 31 maj 2021 pranë këtij institucioni llogariteshin mbi 23 milionë lekë. Shifër kjo që pritet të rritet pasi shumë gjyqe janë në proces.

Për të marrë një vendim të një forme të prerë një të larguari nga adminstrata i duhen dy deri në tre vite. Por që pas vitit 2019 kur gjykata e lartë mbeti pa gjyqtarë kjo kohë është dyfishuar.

Shifra e dëmshpërblimeve që paguhet nga buxheti i shtetit është e frikshme. Të dhënat nga viti 2013 flasin për një shifër të akumuluar borxhesh për dëmshpërblimet që shkon në 100 milionë euro.

Në vitet 2016-2017 shteti filloi të lëvronte shifra të konsiderueshme për të shlyer dëmshpërblimet e punonjësve të larguar nga administrata.

Nëse një punonjës e fiton gjyqin nuk merr vetëm 12 paga. Sipas ligjit ai duhet të marrë pagën që ka pasur në momentin që është pushuar deri në momentin që do të rikthehet përsëri në punë. Nëse ai nuk rikthehet vijon të marrë pa mbarimisht një pagë. Kjo në kurriz të taksapaguesve shqiptarë.

“Është një sasi shumë e madhe lekësh e cila nuk shkon vërtet për të paguar dhe për të stimuluar ata të cilët vërtetë punojnë në administratën publike. Por shkon te këta individë të cilët edhe pse kanë 2,6, apo 10 vjet që kanë ikur nga detyra fitojnë të drejtën që të marrin pagën e tyre mujore, vjetore ose përmbledhjen e pagës për periudhën në të cilën nuk kanë punuar. Është shumë zhgënjyese për taksapaguesit që të shohin njerëz që vegjetojnë në pagesa thesari, shteti pa qenë fare të angazhuar ose pa qenë fare në Shqipëri”,  u shpreh Arianita Brahaj, Drejtuese e “Open Data”.

Top Channel