Top Story/ Ligji ndryshon disa herë, pavarësisht kësaj mbi 700 të larguar u regjistruan në vitet 2014-2015

08/06/2021 22:52

Le të kthehemi pas në kohë dhe të shohim se sa herë ka ndryshuar ligji në fjalë. Ai i vitit 1999 Për Statusin e Nëpunësit Civil ndryshoi mbi dhjetë herë me ndërhyrje të ndryshme deri në vitin 2013, kur u miratua një ligj i ri.

Ky ligj synonte ta bënte edhe më të vështirë juridikisht shkarkimin dhe emërimin e punonjësve në administratën e lartë publike për arsye politike.

Ligji i ri u miratua me kompromis mes dy partive të mëdha në maj 2013 dhe me asistencën e Bashkimit Europian. Por menjëherë pas miratimit, një betejë dyvjeçare politike u zhvillua mbi zbatimin e ligjit.

Fillimisht, qeveria e re, e cila mori pushtetin në shtator 2013, kërkoi shtyrjen me gjashtë muaj për fillimin e zbatimit të ligjit përmes një Akti Normativ. Partia Demokratike, tashmë në opozitë, u ankua se moszbatimi i ligjit po bëhej për të krijuar kushtet për pushime nga puna. Situata u bë kaotike, për shkak se ligji i mëparshëm qe shfuqizuar ndërsa ligji i ri nuk kishte hyrë në fuqi.
Akoma pa u mbushur dy vjet nga hyrja në fuqi, ligji i ri u ndryshua dy herë. Ai hyri në fuqi përfundimisht më 28 shkurt 2014. Por në dhjetor 2014 ligji ndryshoi përsëri.

Me këtë ndryshim, qeveria i krijoi kushtet vetes të emëronte punonjës shteti pa konkurs me modelin e “emërimit të përkohshëm, si dhe të kryente “transferime” dy metodat e përdorura historikisht në Shqipëri për shkarkime dhe emërime nga puna për qëllime politike.
Pikërisht në këtë periudhë u bënë edhe një sërë largimesh nga institucionet shtetërore. Në atë kohë u tha se numri i të larguarve në total ishte rreth 7000 persona.

Top Channel