‘Mbreti i xhunglës’ detyrohet të ngjitet në pemë për t’i shpëtuar tufës së nevrikosur të bufalove (fotot)

08/06/2021 16:06

Një luan i tmerruar është fotografuar së fundmi teksa kapej me thonj në degët e pemës ku ishte ngjitur, për t’i shpëtuar tufës së bufalove që u bashkuan për t’i kthyer sulmin e tij me të njëjtën monedhë.

Fotografi Olav Thokle nga Norvegjia, kapi momentet e pazakonta kur jo vetëm luani në fjalë, por dhe tre luanë të tjerë të tufës së tij ia mbathën me të katërta pas një tentative të dështuar gjuetie ndaj tufës prej disa qindra bufalo në rezervatin Masai Mara në Kenia.

Rreth katër luanë po ndiqnin tufën e rreth 400 kafshëve bovine, për të gjetur mundësinë të vrisnin ndonjë nga anëtarët më të dobët të saj.

Por planet e tyre u shkatërruan kur disa bufalo të nevrikosur u lëshuan në sulm drejt tyre, duke bërë që luanët të largoheshin nga sytë këmbët, dhe një prej tyre të ngjitej në një pemë, e të qëndronte aty për gati tre orë, deri në qetësimin e gjakrave.

Pamjet qesharake të “mbretit të xhunglës” e tregonin të shtrirë në disa degë, duke pritur që terreni poshtë të ishte më i sigurtë.

Olav tha: “Papritur bufalot e ndjenë prezencën ogurzezë të luanëve dhe më të fuqishmit prej tyre u lëshuan në sulm drejt tyre. Tre luanë u larguan shpejt me vrap, ndërsa i katërti u rrethua nga bufalot dhe nuk kishte rrugedalje tjetër përveç pemës”.

“Luani qëndroi në pemë për afro tre orë e gjysmë, derisa tufa e bufalove ishte larguar”.

Rezervati Masai Mara është i famshëm për felinët e tij të mëdhenj si luanë, leopardë e gepardë.

FOTO GALERI
1/9
Mbreti i xhungles ne nje situate mjaft te sikletshme

Top Channel