Mjaftoi gjysmë ore me shi të rrëmbyer që në Korçë, rrugët të mbulohen nga uji.

Edhe Pazari i Vjetër gati u kthye në një liqen të mbuluar nga uji, një situatë që përsëritet sa herë ka shira të dendur. Fare pranë qytetit, në fshatin Barç rrugët u përmbyten. Uji hyri edhe në oborret e në brendësi të disa banesave. 110 mm shi gjatë 30 minutave e bënë të pamundur frenimin e vërshimeve, ndërsa inertet bllokuan edhe pusetat e kanalizimeve.

U desh ndërhyrja e fadromave për të shmangur përmbytjet e shtëpive dhe dëmet qe mund të shkaktonte kjo situatë, ndërsa banorët nisën pastrimin me lopata, të baltës dhe gurëve që u zbritën në shtëpi.

Si pasojë e kësaj situate të pazakontë, vështirësi u krijuan edhe në qarkullimin e mjeteve dhe lëvizjen e këmbësorëve, ndërsa pas shiut gjithçka u normalizua.

Top Channel