Kryeministri Edi Rama në një konferencë të përbashkët me homologun hungarez Viktor Orban foli për marrëdhënien dy palëshe mes vendeve dhe zgjerimin e bashkëpunimit.
Ndërkohë Orbán ka theksuar se Hungaria është në mbështetje të plotë të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Kryeministri Edi Rama: Ishte jo vetëm kënaqësi, por ishte një nder që të isha mik i Kryeministrit sot dhe të kisha mundësi që të shkëmbeja me të pikëpamje për temat që përmendi Kryeministri. Por, së pari e mbi të gjitha, për t’i kërkuar mbështetje dhe ndihmë në rrugëtimin e zhvillimit, modernizimit, si dhe të integrimit.
Në këndvështrimin tonë, Hungaria është një vend ku ka shumë dije, ku ka përvoja të pabesueshme, mbresëlënëse, transformuese, ku ka shumë për të mësuar. I jam shumë mirënjohës Kryeministrit për disponibilitetin e tij bujar për të na dhënë të gjithë mbështetjen e nevojshme, për të pasur këtë transferim të dijes, sepse duam të bashkëpunojmë jo vetëm në aspektin dypalësh ekonomik, por gjithashtu dhe në atë kulturor dhe në arsim. Atë çka Hungaria ka bërë gjatë viteve të fundit për të përmirësuar arsimin, për të mbështetur të rinjtë e talentet, për të inkurajuar familjet që ta shohin të ardhmen e vet me sa më shumë shpresë, është frymëzuese.
Jam edhe njëherë mirënjohës dhe pres me padurim që të përforcojmë këtë bashkëpunim. Siç e tha Kryeministri, miqësia jonë është e vjetër tashmë, por miqësia shqiptaro-hungareze është shumë më e vjetër sesa mendojnë njerëzit. Ju na dhuruat një mbretëreshë, ne ju kemi dhuruar golashënuesin më të mirë të Ferencvárosi-t, kështu që ka shumë më tepër për t’u bërë.
Top Channel