Gjyqtarja e Elbasanit, Enkeleda Kapedani është pezulluar nga detyra deri në përfundim të procesit të hetimeve.

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka shqyrtuar kërkesën e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë për të pezulluar nga detyra magjistraten Enkelejda Kapedani, gjyqtare në Gjykatën e Elbasanit, pas videove të pahijshme të publikuara në “Tik Tok”.

Enkeleda Kapedani ka paraqitur dorëheqjen nga detyra e zv. kryetares në KLGJ ditën e sotme, teksa kërkonte që të dalë në dritë e vërteta.

Kapedani tha se ndonjëherë ka bërë video që i përkasin jetës së saj personale, por kurrsesi me qëllim për t’i publikuar ato në rrjete sociale, duke shtuar se shumë prej gjyqtarëve dhe prokurorëve kanë faqe të tyre personale në rrjete si ‘Tik Tok’, ‘Instagram’  e ‘Facebook’.

“Do ta nis me një ndjesë të thellë publike duke shpresuar që zëri im të dëgjohet. Kam pritur gjatë që të thërritem e të dal para jush për një çështje si ajo e vendimit që më përndjek. Kam mbyllur me rezultate të larta magjistraturën, e dyta në vend. Përballë jush keni një gjyqtare që gjithë jetën ka studiuar dhe ka dalë ekselente. Është sfidë me vete ngarkesa, respektoj afatet e gjykimeve, përmbush me përpikëri detyrën. Ndonjëherë ka ndodhur që të kem bërë video që i përkasin jetës sime personale, por kurrsesi me qëllim për ti publikuar. Pres prej jush gjykim të paanshëm dhe profesionalë. Dua të ngre ca pyetje: a keni rezultat mbi punën e  gjyqtares Enkeledia Kapedani? Si gjykoi unë, sa zgjat vendimmarrja ime? Kujt i interesonte nga bota e krimit kjo situatë? Ato video janë tërësisht private dhe kurrsesi për tu publikuar. Shumica e gjyqtareve dhe prokurorëve kanë tik tok, facebook, instagram, pse po shigjetohem unë, kë kam prekur unë në kallo? Ato video janë tërësisht private, ju lutem zbardheni të vërtetën. Jam gjyqtare profesioniste, nuk çedoj. Gjithmonë kam besuar në drejtësinë ligjore dhe jam e bindur që do të provohet, jam e bindur që në këtë situatë u bëra kokë turku. Mos lejoni që ethet e klikimeve dhe bota e krimit te ndikojnë tek vendimi juaj, mos sakrifikohem për qëllime  të tjera. Ndërkohë, paraqes dorëheqjen nga detyra e zv.kryetares”, është shprehur Kapedani.

Gjyqtarja Enkelejda Kapedani, kishte realizuar disa video jo etike për detyrën e saj edhe në ambientet e zyrës në gjykatën e Elbasanit.

Në video ajo reklamonte veshjet e markave të shtrenjta dhe makinën e saj tip “Audi”, ndërsa është edhe një moment kur ajo ecën me shpejtësi dhe bën një parakalim të gabuar në rrugë. Në një prej tyre, dëgjohet në sfond kënga e Don Xhonit “Mafia”, ndërsa ajo filmon veten në ambientet e gjykatës.

Gjykatësja ndërkohë është në një tjetër hetim që ka të bëjë me lirimin nga burgu të Viktor Ymerit dënuar me burgim të përjetshëm për dy vrasje.

Ymeri ndërkohë është sërish i arrestuar si i dyshuar për një tjetër ngjarje kriminale. Kërkesa për hetimin e këtij rasti është bërë nga ministrja e drejtësisë Etilda Gjonaj, e cila pas publikimit të videove në Tik Tok kërkoi edhe verifikim të pasurisë së gjyqtares Enkelejda Kapedani të cilës ende nuk i ka ardhur radha për të kaluar në procesin e Vettingut.

Kapedani u emërua kryetare e Gjykatës së Elbasanit në 30 shtator të vitit 2020, pas dorëheqjes së gjyqtarit Zihni Shahu.

FOTO GALERI
1/12

Top Channel