Për të gjashtin muaj radhazi treguesi i ndjesisë ekonomike ka shënuar rritje duke reflektuar përmirësimin e besimit të bizneseve dhe konsumatorëve.

Sipas Bankës së Shqipërisë treguesi i ndjesisë ekonomike u rrit me 3.3% në maj kundrejt prillit, duke qëndruar mbi mesataren historike.

Sipas vrojtimit të bankës përmirësimi i këtij treguesi erdhi kryesisht nga rritja e fortë e besimit në sektorin e shërbimeve dhe tregtisë, përkatësisht me 5.6% dhe 8.8%, duke pasqyruar nj gjallërim të ekonomisë.

Bizneset janë më optimiste lidhur me ecurinë e sipërmarrjes dhe rritjen e kërkesës në sektorin e shërbimeve, ndërsa pritshmëritë për punësimin në të ardhmen janë vlerësuar të ulëta duke reflektuare vështirësitë që po hasin si pasojë e pandemisë dhe masave kufizuese.

Edhe bizneset që zhvillojnë aktivitetin e tyre në tregti, një nga degët më të goditura si pasojë e pandemisë duke bërë që shumë prej tyre të ulin qepenat, presin një rritje të porosive të reja në të ardhmen.

Përmirësim për të gjashtin muaj radhazi ka shënuar edhe besimi në sektorin e industrisë, ndikuar nga vlerësimet optimiste të bizneseve lidhur me nivelin e prodhimit, teksa presin rritje të kontratat porositëse dhe ecuri më të mirë të punësimit në të ardhmen.

Pas një rritje të fortë në prill, besimi në sektorin e ndërtimit nga ana tjetër shënoi një rënie të lehtë me -1%.

Krahas bizneseve, vrojtimi i bankës qendrore tregon edhe për një përmirësim të besimit të konsumatorëve në ekonomi, duke u rritur me 2.6% në maj. Ecuria pozitive e këtij treguesi është ndikuar kryesisht nga pritjet më optimiste të individëve për situatën e përgjithshme ekonomike si dhe të ardhurat e tyre, si dhe ato për blerje të mëdha.

Top Channel