Policia në Norvegji gjen trupin e fëmijës së mbytur me familjen në ngushticën drejt Anglisë (fotot)

07/06/2021 17:14

Policia në Norvegji tha sot se një trup i gjetur më herët në brigjet e vendit, është ai i djalit 15 muajsh të vdekur bashkë me familjen e tij në fund të vitit qe shkoi, teksa përpiqeshin të kalonin ngushticën Pas De Calais drejt Anglisë.

Fëmija i quajtur Artin, vdiq bashkë me katër anëtarë të familjes kur barka me të cilën po udhëtonin u fundos në tetor.

Familja iraniane kurde ishte duke tentuar të shkonte në Britani nga Franca.

Të afërm të familjes kanë folur për dhimbjen dhe ankthin e tyre teksa prisnin për të mësuar mbi fatin e të voglit.

Mbetjet e trupit të fëmijës janë dërguar në Iran për t’u varrosur. Sot policia në Norvegji tha se ditën e vitit të ri, trupi i një fëmije është gjetur pranë gjirit Karmoy.

“Ne nuk kishim informacion për bebe të humbura në Norvegji. Kominoshet blu që mbante veshur viktima nuk ishin norvegjeze dhe bebja nuk ishte norvegjeze”, tha drejtuesja e hetimeve Camilla Tjelle Waage.

Por profili i ADN konfirmoi se na fakt fëmija ishte fatkeqi Artin.

Barka që mbante familjen kurde-iraniane u mbyt më 27 tetor, ku vdiqën e gjithë familja, Rasoul Iran-Nejad 35 vjeç, Shiva Mohammad Panahi 35 vjeçe, Anita nëntë vjeçe, e Armin gjashtë vjeç.

Familja ishin nga qyteza e Sardasht në perëndim të Iranit, pranë kufirit me Irakun.

Pesëmbëdhjetë emigrantë të tjerë u dërguan në spital dhe një hetim u hap nga autoritetet franceze të Dunkirk.

Pak pas mbytjes së barkës BBC pubikoi një seri mesazhesh teksti të dërguara nga Mohammad Panahi, duke përfshirë dhe një ku ai pranonte rrezikun e kalimit të ngushticës me barkë, por thoshte se “nuk kemi zgjedhje tjetër”.

“Për të shkuar me kamion duhen shumë më tepër para nga sa kemi,” thuhej në një mesazh të dytë.

Në një tjetër thuhej: “Kam shumë plagë në zemër dhe tani që jam larguar nga Irani dua ta harroj të kaluarën”.

Në kampin francez të refugjatëve në Dunkirk, një tjetër refugjat Bilal Gaf, tha se familja qëndruan pranë tendës së tij ndërsa përshkruante Artin si “të famshëm” në kamp.

“Ishte një bebe shumë e lumtur,” thotë ai duke treguar fotot që kishte bërë me fëmijën rreth një javë para tragjedisë.

“Njerëzit janë të trishtuar, por çfarë mund të bëjnë? Asgjë, vetëm të qajnë.”

FOTO GALERI
2/3
Familja e Artin, te gjithe te vdekur gjate tentatives se kalimit

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA