Pezullohet gjykatësja e TikTok/ KLGJ: Vazhdimi në detyrë cenon figurën e magjistrates

07/06/2021 19:48

Këshilli i Lartë Gjyqësor pezulloi nga detyra gjyqtaren e Elbasanit Enkeleda Kapedani, e cila po kontrollohet nga ILD pas publikimit të disa videove në TikTok.

Ndonëse në nisje të seancës, gjyqtarja njoftoi dorëheqjen nga detyra e zevendës kryetares së gjykatës dhe njoftoi se sulmet ishin të sinkronizuara nga bota e krimit, kërkesat e saj nuk u morën parasysh.

Duke kujtuar se ishte diplomuar shkëlqyeshëm si magjistrate, gjyqtarja Kapedani shtroi një sërë pyetjesh retorike para KLGJ-së, duke nisur nga mos hetimi për një vendim që sipas saj po e përndjek, megjithëse heqja e burgut të përjetshëm ndaj Viktor Ymerit nuk i përket asaj, por një tjetër trupe.

Me këmbënguljen se videot ishin private dhe jo për publikim, dhe se as muzika dhe as pamjet nuk ndikonin në profilin e gjyqtares, Kapedani la të kuptohej se me punën e saj kishte prekur interesa të tjera. Por, edhe pse kërkoi të zbardhej e vërteta me gjakftohtësi, për ILD, Kapedani ka shkelur etikën dhe diskredituar figurën e gjyqtarit dhe ky qëndrim u votua, i mbështetur nga KLGJ deri në përfundim të procesit administrativ.

Top Channel