Korçë/ Kapen dy të rinjtë me tre emigrantë të paligjshëm në “Benz”

07/06/2021 10:42

Policia e Korçës ka vënë në pranga dy persona, pasi janë konstatuar duke transportuar emigrantë të paligjshëm me qëllim kalimin e kufirit, drejtë vendeve të BE-së.

Në njoftimin për media bëhet e ditur se dy të arrestuarit janë të moshave 34 dhe 35-vjeç, banues në Pogradec.

Shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me ato të FRONTEX-it, kanë konstatuar në afërsi të fshatit Eçmenik, Devoll, shtetasit e mësipërm duke lëvizur me mjetin tip “Benz” dhe ku i kanë kërkuar që të ndalonte por ata janë larguar. Pas ndjekjes automjeti është kapur dhe neutralizuar në afërsi të fshatit Zëmblak, Maliq.

“Gjatë kontrollit të ushtruar në mjet u konstatuan 3 emigrantë të paligjshëm, të cilëve shtetasit M. G. dhe D. D., kundrejt shpërblimit, iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së”, njofton ndër të tjera policia.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel