“Veprim i neveritshëm”/ Zyrtarët italianë reagojnë pas plagosjes së priftit katolik nga 34-vjeçari shqiptar

06/06/2021 11:56

Një 34-vjeçar shqiptar, i cili dyshohet se ka probleme të shëndetit mendor dhe të shkuar kriminale, ka dhunuar priftin katolik, Domenico Vittorini.

Sulmi ndodhi pak para orës 9, mëngjesin e 4 qershorit,  para bazilikës së San Giacomo, në Bolonja të Italisë.

Ngjarja e rëndë ka sjellë reagime të shumë zyrtarëve italianë, të cilët e kanë quajtur të neveritshëm këtë akt, ndërsa shprehin bindjen se pas rikuperimit prifti do të kthehet në detyrë dhe do të punojë më fort.

“Shpreh të gjithë solidaritetin tim me At Domenico Vittorini. Shpresoj që për agresorin do të jepet një dënim i përshtatshëm. Për At Domenico urimet e mia më të mira për një shërim të shpejtë dhe falënderimet e mia për Policinë për identifikimin e menjëhershëm të personit përgjegjës për një veprim kaq të pandjeshëm dhe të neveritshëm”, kështu tha Anna Maria Bernini, presidente e senatorëve të Forza Italia.

Ndërsa Këshilltarja Komunale dhe drejtuesja e grupit të Lidhjes për Salvinin në Komunën e Bolonjës, Francesca Scarano ka thënë: “Ne jemi të tronditur nga ajo që i ka ndodhur At Domenico, i cili është një shembull i vërtetë i një shpirti bamirës në qytet dhe bujar, për nevojtarët e qytetit tonë. Ai shfaqet gjithmonë me një buzëqeshje dhe ndihmë konkrete. Fatkeqësisht, protagonisti i sulmit ishte pikërisht një nga ata që përfitoi nga angazhimi i At Domenico, duke dëshmuar se sa e vështirë dhe pa mirënjohje është puna për të ndihmuar nevojtarët. Jam i sigurt, që At Domenico, pasi të shërohet, do të rifillojë misionin e tij me edhe më shumë energji. Në të vërtetë, ai do ta shndërrojë këtë fatkeqësi në një stimul për të bërë më shumë dhe më mirë. Dhe Bolonja mund t’i jetë vetëm mirënjohëse atij për këtë.”

Ndërsa kryebashkiakja e San Lazzaro, Isabella Conti deklaroi: “Ne e kemi dëgjuar rastin. Prifti ka dhimbje koke, por ai është tashmë në manastir, i gatshëm për të rifilluar punën e tij për komunitetin. Ne jemi në krahun tuaj, me mirënjohje dhe dashuri. Bujaria dhe angazhimi i At Domenico janë një fener për Bolonjën, një shembull i fortë, një udhëzues për shumë njerëz, një referencë për nevojtarët. Sot ai u sulmua nga një njeri i çmendur dhe ne të gjithë u habitëm”.

FOTO GALERI
1/8

Top Channel