U kapën duke kultivuar kanabis në zonë të pyllëzuar, arrestohen 3 persona. Shpallen në kërkim bashkëpunëtorët, mes tyre një 83-vjeçar

06/06/2021 09:26

Tre persona janë arrestuar nga policia e Elbasanit pasi u kapën duke kultivuar fidanë kanabis sativa në një zonë të pyllëzuar në fshatin Krrabë e Vogël.

Ata janë identifikuar me inicialet M. B., 32 vjeç, D. B., 39 vjeç, banues në Elbasan dhe F. G., 47 vjeç, banues në Krrabë e Madhe, Tiranë. Dy të tjerë, L. B., 30 vjeç dhe I. B., 83 vjeç, banues në fshatin Krrabë e Vogël, bashkëpunëtorë të personave të arrestuar janë shpallur në kërkim.

Gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë në banesën e shtetasit I. B. janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 26 fishekë dhe fara kanabisi.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme procedurale.

Top Channel