Pas 1 viti e gjysmë pandemi, Komiteti Teknik i Ekspertëve mori vendimin për lejimin e shfaqjeve kulturore dhe artistike me 30% kapacitet si dhe ruajtjen e distancës.

Artistët kanë qenë ndër grupet më të goditura nga pandemia dhe që kishin më pak hapësira se çdo profesion tjetër për të vijuar aktivitetin e tyre. Kjo kategori nuk përfitoi page lufte apo ndonjë forme tjetër ndihme, gjë qe solli edhe proteste te artisteve gjate muajve te izolimit.

Xhiliola Haveriku mendon se pandemia nuk erdhi vetëm me të këqija për artistët, ndërsa prenotimet kanë filluar në masë sipas saj.

“Jemi shumë të lumtur për këtë pjesë. Na kishte marrë malli të këndonim live dhe të shikosh njerëzit që e shijojnë dhe të ndjekin. Mendoj që artistët në tërësi kanë qenë shumë produktivë nga kjo pjesë, duke kënduar, duke kompozuar dhe le të themi që një artist gjithmonë e gjen mundësinë se si një situatë jo të mirë ta sjelli në benefitet e veta. Di të them jo ti numëroj me gishtat e duarve por janë goxha. E presim plot me evente, plot me muzikë edhe plot me art. Ky është urim, por edhe pritshmëri”.

Iris Canaj, regjisore, e mirëpret vendimin, por thekson se rikthimi në normalitet nuk do të jetë i lehtë.

“Një gjë e shumëpritur jo vetëm për artistët besoj, por edhe për publikun që të kenë atë afrimitetin apo një mënyrë argëtimi ndryshe. Të dalësh në skenë dhe të përballesh me publikun ka ato emocionet e veta, por këtë herë është edhe më ndryshe, sepse nuk e dimë se si do të reagojë. Pyetja e parë që i drejtoj njerëzve është cila është gjëja e fundit që ke bërë për herë të parë. Mendoj që duhet ta rifilliojmë nga aty te ato gjërat që na mungojnë më tepër”.

Lehtësimi i kufizimeve, solli këtë fundjave ne Shengjin edhe një nga festivalet e pare massive ne gjithë Ballkanin, ku morën pjese mijëra te rinj, nga vendi dhe te huaj.

Top Channel