Imami i kërcënuar denoncon konfliktin për tokën me ish kreun e policisë bashkiake Florenc Hoxha

06/06/2021 12:12

Imami i xhamisë së fshatit Priskë në Tiranë, Rexhep Doka, thotë se prej disa vitesh ndihet i kërcënuar nga Florenc Hoxha, ish kreu i Policisë Bashkiake, në kohën kur kryetar bashkie ishte Lulzim Basha.

Sipas Imamit Florenc Hoxha kërkon që ti marrë tokën përreth shtepisë të cilën imami e ka me certifikatë. Incidenti më i fundit sipas Dokës ka ndodhur vetëm një javë më parë.

Imami: Problemi që kam me Florenc Hoxhën është se ai pretendon se ka pjesë toke këtu dhe pretendon të më marrë shtëpinë dhe tokën. Unë e kam ble tokën dhe kam ndërtuar edhe shtëpinë. Por ai vazhdimisht më kërcënon që unë të largohe nga këtu. Ka ardhur disa herë me njerëz duke me shantazhuar, për të më marrë tokën. Pra me ka ardhur me armë dhe nga 2012 dhe deri sot, u bën tetë vite bën skema dhe presione të ndryshme për të më larguar mua.

Ndërkaq, Rexhep Doka pretendon se ka të gjithë dokumentacionin që vërteton pronësinë e tij mbi tokën.

Imami: Atëherë unë kur e bleva këtë pronë dhe ndërtova shtëpinë. Me ligjin e vitit 2014, unë e kam futur në proces legalizimi. Kam ndjekur ecurinë e dokumentave dhe prona më doli shtet dhe unë i pagova për të dytën herë shtetit. Edhe nga ana fetare nuk është se e kam bllokuar sepse ia kam paguar pronarit të vjetër. Edhe nga ana ligjore ia kam paguar shtetit. Në bazë të ligjeve në fuqi unë jam pajisur me dokumente. Ja ku e ka vënë gardhin në 2012. Vet e ka vënë. Më tha skam për të të luajtur, pastaj filloi më mbrapa më bllokoi rrugën.

Në komunikuam edhe me Florenc Hoxhën, i cili në një bisedë telefonike, hedh poshtë të gjitha akuzat se ka kërcënuar Rexhep Dokën.

Hoxha: Nuk është e vërtetë kjo. Në dijeninë time, ky person nuk ka bërë asnjëherë  kallëzim ndaj personit tim, pranë organeve kompetente. Dhe ky nëse pretendon se unë e kam kërcënuar edhe me armë dhe kjo përbën vepër penale dhe ky automatikisht duhet të kishte bërë kallëzim në atë kohë.

Florenc Hoxha shton se çështjen po e ndjek në rrugë ligjore, pasi sipas tij Rexhep Doka ka zaptuar tokë dhe ka hyrë në pronën e familjes  së tij.

Hoxha: Unë i jam drejtuar institucioneve për pushtim trualli disa herë. Sepse ky person që nga viti 2010 dhe mbrapa, në dëm të interesave të familjes sime dhe bashkëpronarëve, sepse ne jemi autoktonë në atë zonë. Ky zotëria ka ardhur në atë zonë në 2010 dhe ka vazhduar zaptimin e tokës. Dhe që nga ajo kohë ka pushtuar mbi 2500 metra katrorë tokë, të cilat ne i kemi në procese ligjore dhe institucionale. Unë do vazhdoj të denoncoj Rexhep Dokën, për çdo veprim në kundërshtim me ligjin, që bën ky zotëria që lidhet me zaptimin e pronës sonë. Kaq. Ky është problemi, në qoftë se quhet dhunë kjo. Pra ne po vazhdojmë vetëm rrugën ligjore.

Top Channel