Banoret e njësisë administrative Grabjan, të  Bashkisë Divjakë prej rreth 4 ditësh po përballen me ndotjen më të madhe mjedisore prej shumë vitesh. Shkak për këtë është fusha e mbetjeve, e cila është e përfshirë nga flakët.

Re të mëdha tymi dhe aromat rënda, po i shkaktojnë banorëve të kësaj zone çdo ditë vështirësi në frymëmarrje. Vetë banorët shprehen se situata është shumë e rëndë sidomos në mëngjes kur era fryn ne drejtim të shtëpive.

Por krahas dëmeve në shëndetin e banorëve tymi shprehen ata po i dëmton dhe të mbjellat për shkak të sëmundjeve të ndryshme.

Pavarësisht se ka kaluar ditë e katërt që kjo fushë është përfshirë nga flakët, duket se situata nuk do të marrë zgjidhje. Nga ana e bashkisë, u tentuat ditën e parë për të fikur zjarrin, por ka qenë e pamundur dhe që prej asaj dite nuk ka pasur asnjë ndërhyrje.

Sikur të mos mjaftonte kjo, në këtë pikë, vijojnë të hidhen mbetje nga pjesa më e madhe e njësive administrative të kësaj bashkie. Kjo fushë mbetjesh, po kthehet në një rrezik për përhapjen e mëtejshme të flakëve.

Kreu i Bashkisë Divjakë, Fredi Kokoneshi e ka cilësuar zjarrin si të qëllimshëm dhe tha se po punohej për fikjen e tij. Por 5 ditë nga ky reagim, e vetmja shpresë për banorët është shiu që pritet të bjerë javën e ardhshme.

Top Channel