Detaje nga vrasja në Tiranë/ Ish vjehrri dhe gruaja vëzhguan viktimën për 20 minuta, çfarë deklaroi djali i madh i çiftit para hetuesve

06/06/2021 12:08

Prokuroria e Tiranës dorëzoi këtë të diel kërkesën në gjykatë për masën e arrestit me burg për Mexhit Picarin dhe vajzën e tij Dhurata Saliaj, me akuzën e vrasjes së Kudret Saliajt.

Ndërkaq Top Channel ka mësuar detaje të reja nga vrasja. Sipas burimeve, Mexhit Picari dhe vajza e tij Dhurata Saliaj, kanë shkuar në lokalin ku ishte ulur viktima dhe e kanë vëzhguar për rreth 20 minuta. Në tavolinë me viktimën ishte avokati i çështjes, Adriatik Cama, i cili mbeti i plagosur dhe një psikologe. Autori dhe vajza e tij, kanë qenë në lokal në pritje të seancës gjyqësore. Gjithçka është zbardhur nga kamerat e sigurisë së lokalit, ku

Megjithatë, sipas të dhënave, rezulton se Mexhit Picari ka gënjyer në dëshminë e tij dhënë në polici. Sipas tij, ka qenë viktima Kudret Saliaj që e ka ofenduar dhe për këtë arsye autori e ka qëlluar atë. Një ditë para vrasjes, rezulton se viktima ka pasur një debat të ashpër me ish bashkëshorten e tij Dhuratën.

Fillimisht u raportua se në tavolinën e viktimës ka qenë edhe djali i ish çiftit Saliaj, por nga këqyrja e kamerave të sigurisë nuk ka rezultuar kështu. 16-vjeçari është pyetur nga policia dhe në dëshminë që Top Channel disponon, ai ka deklaruar përpara grupit hetimor, se nuk ka qenë i pranishëm në vendngjarje. Madje ai ka shtuar se nëna e tij, Dhurata Saliaj ushtronte dhunë ndaj tij, motrës dhe vëllait të tij të vogël.

Nga këqyrja e kamerave të sigurisë, rezulton se Mexhit Picari është çuar dhe ka qëlluar ndaj ish dhëndërit të tij, Kudret Saliaj, por ka lënë të plagosur edhe ish prokurorin Adriatik Cama. Ky i fundit ka marrë një plumb në pjesën e djathtë të kraharorit. Burime thanë për Top Channel, që mjekët ende nuk ia kanë hequr plumbin për shkak të ndonjë hemorragjie të mundshme.

Ndërkaq, avokati Cama ka deklaruar në polici se nuk ka mundur ta shoh të gjithë ngjarjen, pasi sipas tij ka qenë duke lexuar ekspertimin e psikologes. Nga këqyrja e kamerave të sigurisë, kësaj të fundit i ka rënë të fikët dhe ende nuk është në gjendje të jap dëshminë e saj të plotë.

Top Channel