Çelja e aerodromit të Gjirokastrës, Rama publikon pamjet e spektaklit me avion në qiell

06/06/2021 08:27

Kryeministri Edi Rama ka publikuar momente nga çelja e aerodromit të Gjirokastrës, ku ka pasur një numër të madh vizitorësh për të provuar ndjesinë e fluturimit nga afër.

Kreu i qeverisë ka publikuar një video në Facebook ku shihet edhe spektakli në qiell mbi Gjirokastër, ndërsa i uron ndjekësve një ditë të mbarë.

“Mirëmëngjes dhe me eksperiencën e çeljes së aerodromit të Gjirokastrës, një hapësirë më shumë për turizmin e zonës, ju uroj një të diel të mbarë”, shkruan Rama.

Fusha e aerodromit në luginën e Drinos është një pistë me një histori të gjatë gati 80 vjeçare e cila është përdorur deri në vitet ‘40 edhe për aviacionin civil. Kjo pistë u riaktivizua në formën e testit ditën e premte pas gati 30 vitesh dhe është një ngjarje e shënuar për eventet turistike dhe për të ardhmen e certifikimit të këtij aerodromi.

Specialistët kanë vlerësuar se aerodromi me një pistë gati 96000 m2 është nga më të përshtatshmit për avionët sportivë dhe për avionët me kapacitet të ulët gjithnjë në funksion të turizmit dhe udhëtimeve të luksit.

FOTO GALERI
1/8

Top Channel