Pasi dështoi vitin e shkuar ankandi i blerjes së emrit të Kategorisë Superiore, në tentativën e dytë është finalizua ky proces.
Nga edicioni i ardhshëm kategoria më e lartë e futbollit shqiptar do të ketë një emër të sajin. Në një intervistë për Top Channel, sekretari i përgjithshëm i Ligës Profesioniste Dritan Kadia tregon më tepër rreth procedurave.
Dritan Kadia / sekretar i përgjithshëm i Ligës Profesioniste: U synuan kompani që të kishin një reputacion të mirë dhe që të kishin një xhiro të caktuar. U kontaktuan rreth 50 kompani, por në fund fare u selektuan 2 prej tyre që shfaqën më tepër interes. Mes tyre fitoi kompania Abissnet e cila ofroi 54 milion lekë të reja për 3 vite.
Si u konsiderua kjo shifër nga anëtarët e Ligës dhe a ishin të gjithë ata dakord për të?
Dritan Kadia / sekretar i përgjithshëm i Ligës Profesioniste: Ishte diçka që u bë edhe si me humor, pasi kur mësuan shifrën prej 54 milion lekësh në fillim menduan që ishin lekë të vjetra dhe kjo shifër krijoi konfuzion duke dalë shumica kundra madje edhe duke na kritikuar, por më pas kur mësuan se shifra ishte me të reja, të gjithë ranë menjëherë dakord.
Por kur do të fillojë realisht punën Liga Profesioniste?
Dritan Kadia / sekretar i përgjithshëm i Ligës Profesioniste: Fillimisht do të duhet që anëtarët e Ligës të përfaqësohen në komisionet e Federatës Shqiptare të Futbollit dhe dalëngadalë do të krijohen strukturat e Ligës për ta marrë këtë garë në dorë, por një proces i tillë do kohën e vet nuk mund të bëhet sot me nesër.
Top Channel