Djegia e një qendre votimi në Vaun e Dejës përpara mbajtjes të zgjedhjeve lokale të 2019-tës, ishte shkaku që kryeministri Edi Rama e përdori në shkarkimin nga detyra kryetarin e bashkisë Zef Hila.

Gjykata Kushtetuese e gjeti vendimin e shkarkimit të kundraligjshëm duke i dhënë të drejtë e pranuar padinë e Zef Hilës.

Përmes dy urdhrave që mbajnë firmën e Zef Hilës më 17 dhe 18 Qershor 2019 ai urdhëronte ndërprerjen e veprimtarisë zgjedhore.

Për këto veprime kryeministri fajësoi kryebashkiakun Zef Hila, i cili nuk u pajtua me këtë vendim, por e ankimoi në Gjykatën Kushtetuese, e cila në vendimin e bërë publik këtë të shtunë thotë:

Duke qenë se procedura e shkarkimit është zhvilluar në mënyrë urgjente, kërkuesi nuk rezulton të jetë njohur paraprakisht me shkeljet të cilat i janë atribuuar, në mënyrë që, në një ballafaqim procedural, të mund të paraqiste kundërshtimet e tij ndaj këtyre shkeljeve. Pra, atij nuk i është dhënë mundësia të realizojë të drejtën për t’u dëgjuar dhe për të paraqitur shpjegime, në kuadrin e procesit të rregullt ligjor”.

Gjyqtarët kushtetues mbërrin në përfundimin se:
Gjykata vlerëson se në procesin e shkarkimit të kërkuesit nuk janë respektuar në nivelin minimal e drejta për t’u njoftuar dhe e drejta për t’u dëgjuar, edhe pse nuk rezulton të ketë pasur shkak ligjor për të mos respektuar këto të drejta. Gjykata, bazuar në analizën e të gjitha pretendimeve të kërkuesit, vlerëson se kërkesa e tij duhet pranuar në objektin e saj, pasi është cenuar procesi i rregullt ligjor në aspektet e së drejtës për t’u njoftuar dhe për t’u dëgjuar, si dhe të standardit të arsyetimit të vendimit.

Pesë antarë të kushtetueses Vitore Tusha, Marsida Xhaferllari, Sonila Bejtja Përparim Kalo dhe Elsa Toska, i dhanë të drejtë zotit Hila. Votuan kundër pranimit të ankimimit gjyqtarët: Fiona Papajorgji dhe Altin Binaj.

I pyetur nga Top Channel se çfarë do të bëjë pas këtij vendimi, Zef Hila tha se ai nuk ka ndërmend të rimarrë detyrën e krye-bashkiakut të Vaut të Dejës, por do të jetë në parlament si deputet, pas fitimit të mandatin në zgjedhjet e 25 Prillit nën siglën e PD-s.

Top Channel